Ekonomi

Projekti për Brezovicën shikohet nga shumë kompani franceze

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti sot në takim ambasadoren e Republikës së Francës në Kosovë, znj. Marsey Daviet.

Ministrja Bajrami e informoi ambasadoren Daviet rreth punës që po bën qeveria e Republikës së Kosovës në përmirësimin e mjedisit afarist dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Ajo i shpjegoi ambasadores për rrjedhën e shumë projekteve në të cilat po punohet duke u fokusuar në veçanti rreth politikave nxitëse që po përpiqet t’i krijojë qeveria për tërheqjen e sa më shumë investimeve të huaja direkt nga kompani të mëdha ndërkombëtare.

Në anën tjetër, ambasadorja Daviet u interesua në lidhje me Ligjin për Investime Strategjike. Ajo shprehu mbështetjen e qeverisë franceze për miratimin e këtij ligji duke theksuar se ky ligj është i rëndësishëm sepse do të reduktonte kohën dhe barrierat për kompanitë e mëdha që ato të investojnë në Kosovë.  

Ndërsa sa i përket projektit të Brezovicës, ambasadorja Daviet, tha se ky projekt është duke u shikuar me interesim të lartë nga shumë kompani franceze dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë së Francës që të punojë së bashku me qeverinë e Kosovës në mënyrë që ky projekt i rëndësishëm për ekonominë e vendit tonë të realizohet në një të ardhme të afërt. /KI/

Komentoni