Kosova

Flamur Shala i LDK-së shkruan rreth kandidaturave për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e ardhshme

Flamur Shala, shef i Grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, ka shkruar në një status në faqen e tij të Facebook-ut në lidhje me kandidaturat e zgjedhjeve të ardhshme lokale për kryetar të Prishtinës.

Këtë përgjigje, si duket Shala e ka dhënë, pas shkrimit të mëhershëm që ka dal në disa portale, se Prof. Dr. Flamur Shala pritet të jetë kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e ardhshme.

Shala në shkrimin e tij ka thënë se LDK ka kapacitete të mëdha njerëzore, politike, profesionale e intelektuale për zhvillimin e saj dhe të institucioneve të Republikës. Duke shtuar tutje se, secili kandidat i saj do te përmbush kërkesat politike dhe programore te LDK-së, kudo në sistemin tonë qeverisës, nivel lokal dhe atë qendror.

Në vazhdim po japim shkrimin e plotë të z. Shala:

“LDK ka kapacitete të mëdha njerëzore, politike, profesionale e intelektuale për zhvillimin e saj dhe të institucioneve të Republikës. Secili kandidat i saj do te përmbush kërkesat politike dhe programore te LDK-së, kudo në sistemin tonë qeverisës, nivel lokal dhe atë qendror. Do te vije koha edhe e kandidateve, ose e kandidatit për kryeqytetin. Tani ka nevoje për reflektime serioze politike lidhur me çështje të rëndësishme për zhvillimin e kryeqytetit. Udhëheqësia e tanishme ka dështuar në realizimin e projekteve, ka dështuar në organizimin e komunës për realizimin e buxhetit të paraparë. Krahasoni për tri vjet sa ka pasur buxhet Prishtina dhe krahasoni dhe gjeni se cilat janë projektet që mund të përmenden sot.

Prandaj, para kandidaturave, që po i kërkojnë, duhet t’i shfaqim si deri më tani e t’i shpërfaqim dështimet, një nga një, të udhëheqësisë së Prishtinës dhe dalëngadalë të fillohet me platforma të zhvillimit, të ngritura edhe mbi dështimet e deritashme të Shpend Ahmetit! Prishtinës i duhet një qasje reale politike dhe bashkëpunimi normal me të gjithë ata qe e duan një kryeqytet të zhvilluar dhe të përparuar!” /KI/

Komentoni