Kosova

Filloreta nuk dëbohet në Kosovë

Gjykata Administrative ka vendosur që Filloreta ka të drejtë përfundimisht të vazhdojë qëndrimin në Austri, gjegjësisht nuk do të dëbohet në Kosovë.

Pas përpjekjeve që zgjatën shumë, shqiptarja nga Kosova, Filloreta Paluca, 16 vjeçe më në fund fiton të drejtën për të mbetur në Austri. Rasti i saj kishte bërë jehonë të madhe në mediat austriake, në shkurt të këtij viti, kur ajo qe arrestuar në mes të rrugës dhe ishte dërguar në polici me pranga në duar, shkruan heute.at.

Kjo kishte ndodhur, përkundër faktit se ajo, siç shkruajanë gazetat austriake, ishte e integruar në mënyrë të përsosur në Austri, ku jetonte me të ëmën dhe motrën, transmeton albinfo.ch. Filloreta kishte mbaruar dy zanate (kualifikime), si kuzhiniere dhe si kameriere, në Timelkam, qarku Vöcklabruck.

Thomas Eder dhe familja e tij, për të shpëtuar Filloretën nga dëbimi kishte vendosur madje që të bënte adoptimin e vajzës. Pas kësaj ka pasur shumë lëvizje lidhur me statusin e qëndrimit të vajzës 16 vjeçe në Austri, shkruan albinfo.ch. Fillimisht ajo, sipas autoriteteve, duhej patjetër të riatdhesohej në Kosovë, atje ku tashmë ishin dëbuar babai dhe vëllai i saj 19 vjeçar. Pastaj në maj të këtioj viti Gjykata Administrative e kishte stopuar dëbimin, por vendimi ishte i përkohshëm dhe me kusht.

Ndërsa sot, mund të thuhet se është përfundimtare: Gjykata Administrative ka vendosur që Filloreta ka të drejtë përfundimisht të vazhdojë qëndrimin në Austri, gjegjësisht nuk do të dëbohet në Kosovë. Ky vendim, sipas gjykatës, është marrë duke pasur konsideratë për “të mirën e fëmijës” dhe duke marrë parasysh se Filloreta tashmë “ka humbur çdo qasje me Kosovën, transmeton albinfo.ch. Me fjalë tjera: ajo ndihet në Austri si në shtëpi të saj”.

Ajo jeton me motrën dhe të ëmën në Timelkamm dhe vazhdon shkollimin. Ndërkohë edhe nëna e Filloretës ka premtime për një vend pune. Vazhdimi i lejes së qëndrimit vlen edhe për nënën dhe motrën e Filloretës./albinfo.ch

Komentoni