Ekonomi

Fillon aksionin për largimin e shitësve ambulantë në rrugën Milloshevë-Babimoc

Inspektorati dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë filluar aksionin për largimin e shitësve ambulantë nga magjistralja Milloshevë-Babimoc.

Për një gjë të tillë, shitësit ambulantë të këtij aksi rrugor si dhe të gjithë shitësit ambulantë tjerë që produktet e tyre i shesin skaj rrugës, ishin paralajmëruar nga Ministria e Infrastrukturës, e cila u kishte dhënë kohë që deri në orën 20:00 të ditës së djeshme, t’i largojnë produktet e tyre nga rruga.

Sipas MI-së, nëse shitësit ambulantë nuk largohen deri në kohën e paraparë, të njëjtit do të largohen menjëherë nga zyrtarët e institucioneve përkatëse.

“Njoftohen të gjithë shitësit ambulantë përgjatë brezit rrugor N-2, përkatësisht aksit Milloshevë-Babimoc, se nga data 30.09.2016, janë të obliguar që t’i lirojnë sipërfaqet hapësinore të brezave rrugorë këtyre rrugëve, ngase shitja e mallrave ambulante(pemëve dhe perimeve) është e ndaluar, pengon rrjedhën e lirë të komunikacionit rrugor dhe paraqet rrezik për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion. Prandaj kërkohet nga ta që hapësirën e brezit rrugor të rrugës Nacionale N/2ta lirojnë brenda afatit kohor të paraparë nga dt. 29.09.2016 deri në orën 20.00. Vërejtja për ndalesën e shitjes së mallrave ambulante në sipërfaqet përgjatë brezit rrugor vlen edhe për të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale të vendit. Nëse brezi rrugor nuk lirohet, ndaj shitësve që nuk e përfillin këtë vërejtje do të ndërmerren masa konform ligjit, largimi i menjëhershëm”, thuhet në njoftim.

Ligjërisht, sipas MI-së, ky veprim i shitësve ambulantë është në kundërshtim të nenit 20 paragrafi 2 të pikave (a), (f), si dhe nenit 21, paragrafi 2, pika (k) të Ligjit Nr.03/L-120. 

Komentoni