Lajme

Filloi punimet konferenca “Java e të mësuarit gjatë gjithë jetës”

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, mori pjesë në Konferencën “Java e të mësuarit gjatë gjithë jetës – domosdoshmëri për zhvillim të përgjithshëm socio – ekonomik”, e cila ka për qëllim promovimin e të mësuarit të të gjitha llojeve, duke mbështetur interesat dhe aftësitë e grupmoshave të ndryshme, të kyçura në procesin arsimor në Kosovë.

Ministri Bajrami, me këtë rast ka theksuar se, projekti i të mësuarit gjatë gjithë jetës është projekt brenda planifikimeve strategjike të Ministrisë së Arsimit, e cila në bashkëpunim me MPMS dhe MKRS do të promovojnë mundësitë për të rinjtë, sa i përket arsimit dhe aftësimit profesional të tyre, si parakusht për zhvillim socio-ekonomik.

“Projekti për promovimin e të mësuarit gjatë gjithë jetës është jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin socio-ekonomik të vendeve në tranzicion. Ky projekt mundëson që të rinjtë, përmes programeve të ndryshme të kenë qasje në ndërtimin e kapaciteteve dhe shkathtësive, për t’iu përshtatur nevojave të tregut të punës. Kjo javë po fillon me këtë ngjarje dhe do të vazhdojë me hapjen e panaireve dhe ofertave, për arsim dhe aftësim në fusha të ndryshme”, theksoi ministri Bajrami.

Ministri Bajrami, po ashtu tha se, përmes këtyre projekteve synohet t’iu hapen mundësi të gjithë njerëzve, në mënyrë që të kenë mundësi të zgjedhjes në tregun e punës.

Konferenca “Java e të mësuarit gjatë gjithë jetës”, motoja e së cilës është “Vëzhgo, merr pjesë dhe mëso”, organizohet nga MAShT, MPMS dhe MKRS, duke përfshirë Konferencën qendrore në Prishtinë, seminaret dhe panairet e ndryshme promovuese të cilat mbahen në Prishtinë , Pejë dhe Prizren. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*