Kosova

Feith: Kosovës i duhet konsolidim i brendshëm

Kosovës i duhet një konsolidim i brendshëm për t’u përballur pastaj edhe me sfidat e jashtme, ka thënë ish-shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, Pieter Feith.

Gjatë një bisede për “Kohën Ditore“, ai ka numëruar një varg problemesh, të cilat deri më tani nuk janë adresuar si duhet nga institucionet e Kosovës, me gjithë përparimin e shënuar prej përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë.

Kritika për mospërmbushjen e objektivave, Feith ka dhënë edhe për misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit-EULEX. Feith, që ka shërbyer edhe si përfaqësues i Bashkimit Evropian në Prishtinë ka thënë se shpreson që Qeveria e re të tregojë lidership në përmbushjen e obligimeve më urgjente që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave dhe agjenda për integrim në BE.

“Kam përcjellë zhvillimet nga distanca, por më duhet të them se ka ende shumë punë për t’u bërë. Fatmirësisht tani ka një Qeveri të re dhe shpresoj që kryeministri i ri ta udhëheqë vendin drejt konsolidimit, jo vetëm në aspektin e brendshëm, por edhe atë të jashtëm siç është dialogu me Serbinë“, ka thënë Feith për “Kohën Ditore“ në Beograd.

Komentoni