FBI-ja përmirëson teknologjinë e testimit të ADN-së

Laboratorët e FBI-së në mbarë Shtetet e Bashkuara këtë vit vunë në përdorim një teknologji të avancuar për testimin e ADN-së. Metoda e re ul ndjeshëm mundësinë statistikore që...

Laboratorët e FBI-së në mbarë Shtetet e Bashkuara këtë vit vunë në përdorim një teknologji të avancuar për testimin e ADN-së. Metoda e re ul ndjeshëm mundësinë statistikore që dy persona me lidhje gjaku të rezultojnë me një profil të ngjashëm ADN-je. Zëri i Amerikës vizitoi laboratorin që zhvilloi metodën e re.

Siç përshkruhet në filmat investigativë, krahasimi i përbërësve biologjikë të gjetur në vende krimi me kampionë ADN-je të marra nga persona të dyshuar, mund të ofrojë një zgjidhje të suksesshme të çështjes.

Gjeni njerëzor përmban rreth 3 miliardë çifte nuk nukleotidesh dhe është praktikisht i pamundur analizimi i të gjithëve. Prandaj, laboratorët kërkojnë të ashtuquajturat “shenja”, ose sekuenca ADN-je.

Për të bërë të mundur që rezultatet e testimeve të provave nga skenat e krimit të jenë njësoj në të gjithë vendin, në vitin 1997, FBI-ja përcaktoi 13 shenja si standardin kombëtar të testimit.

Por, njëzet vite më pas, gjërat kanë ndryshuar.

“Gjatë këtyre viteve, baza kombëtare e të dhënave të ADN-së është rritur në rreth 16 milionë profile. Kur gjurmon për vetëm 13 pjesëza informacioni, ekziston një shans i vogël që dy njerëz të kenë të njëjtin profil ADN-je”, thotë shkencëtari biolog Mike Coble, i Institutit Kombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë.

Që nga 1 janari, FBI-ja e rriti në 20 numrin e shenjave, duke përmirësuar kështu metodën e krahasimit të kampionëve dhe duke ulur gjasat e një gjetjeje të gabuar.

Tre nga shtatë shenjat e reja u zhvilluan në Institutin Kombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë (NIST), i ndodhur pranë Uashingtonit.

“Ne ofrojmë materiale standarte referimi për laboratorët e kriminalistikës në të gjithë ShBA-në. U dërgojmë tuba të vegjël ADN-je dhe çdo vit, laboratorët në ShBA duhet të studiojnë këto mostra për t’u siguruar që nxjerrin rezultate të tilla”, thotë shkencëtari Coble.

Zoti Coble thotë se lidhja e shenjave të ngjashme mund të bëhet manualisht, por shumë laboratore në ShBA kanë blerë makineri që e shpejtojnë punën.

Shkencëtarët po zhvillojnë tashmë një gjeneratë të re të kësaj teknologjie, të quajtur “sekuencim paralel masiv”, që do t’u japë ekspertëve kriminalistikë mundësinë e testimit të kampionëve për ngjyrën e syve, ngjyrën e flokëve, gjatësinë dhe madje edhe moshën.

Kategoritë
Shkencë
S'ka komente

Komentoni

*

*

Lajme të tjera