Kosova

Fatmire Nila-Sanaja zgjedhet kryetare e Forumit të Gruas në Pejë

Në vazhdën e organizimit të brendshëm dhe konsolidimit të Forumeve të Aleancës Kosova e Re, sot në praninë e një numri të madh të grave, është mbajtur Kuvendi Zgjedhor i Forumit të Gruas në degën e AKR-së në Pejë.

Përveç delegateve dhe mysafirëve të tjerë, të pranishëm, në këtë Kuvend Zgjedhor ishin edhe koordinatori i zgjedhjeve në AKR Vesel Makolli, koordinatorja e Forumit të Gruas Mirlindë Gashi, koordinatorja e degës së AKR-së në Pejë, Afërdita Grapci, kryetari i Mitrovicës nga radhët e AKR-së Agim Bahtiri dhe shumë të tjerë.

Punimet e Kuvendit i hapi koordinatorja e Aleancës Kosova e Re në Pejë, Aferdita Grapci, e cila deklaroi se, me anëtarësimin e tyre në AKR, gratë kanë bërë lëvizjen e duhur si mundësi të vetme për avancimin e tyre profesional dhe shoqëror.  

Kuvendi i ka vazhduar punimet, ku nga procesi i rregullt zgjedhor, në prani të 155 delegateve, me shumicë votash, kryetare e Forumit të Gruas në Pejë u zgjodh Fatmire Nila- Sanaj.  

Në emër të Presidentit Behgjet Pacolli, delegatet i përshëndeti koordinatori i zgjedhjeve Vesel Makolli, i cili potencoi se Aleanca Kosova e Re, ka program të qartë politik dhe ekonomik për nxjerrjen e vendit nga kriza politike, ekonomike e sociale, që ky pushtet e ka futur tash e sa vite. “Gruaja me AKR-në në Qeverisje do të jetë çdo herë pjesë e vendimmarrjes, e barabartë para ligjit dhe me të drejta të barabarta në trashëgimi” tha ai.  Në Kuvend foli edhe koordinatorja e Forumit të Gruas në nivel qendror, Mirlindë Gashi, e cila duke i falënderuar gratë që kanë zgjedhur AKR-në për jetësimin e ideve të tyre, theksoi se femrat në Kosovë duan ndryshimin dhe se ndryshimi vjen vetëm përmes gruas dhe AKR-së, në qeverisje. “Nga sot fillon një punë  e madhe brenda një shtëpie të madhe dhe me njeriun me të madh që ka Kosova, e ai është Behgjet Pacolli” tha ajo.

Kuvendi më pas zgjodhi edhe kryesinë 11 anëtarësh të Forumit, ndërsa nënkryetare u zgjodhën Besa Haxhiajdini e Qefsere Pajaziti, si dhe sekretare Shefkije Nimani. /KI/

Komentoni