Kosova

Fakulteti i Infermierisë i Kolegji AAB nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Spitalin Amerikan në Kosovë

Fakulteti i Infermierisë i Kolegji AAB, i cili së shpejti do të fillojë me gjeneratën e parë të studentëve, krahas procesit të suksesshëm të akreditimit dhe përgatitjeve akademike e teknike, ka filluar të rangojë edhe sukseset në fushën e bashkëpunimit me institucione profesionale.

Në këtë vazhdë, sot Fakulteti i Infermierisë i Kolegjit AAB, nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Spitalin Amerikan në Kosovë.

Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim krijimin e kushteve sa më të mira për studentët e Fakultetit të Infermierisë të AAB-së, për të mbaruar mësimin praktik në këtë institucion. Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e Kolegjit AAB nga prorektori për Çështje Mësimore, prof. dr. Shemsedin Vehapi dhe kryeshefi Ekzekutiv i Spitalit Amerikan në Kosovë, Novrus Çaushaj, MD.

Prof. dr. Vehapi, duke falënderuar Spitalin Amerikan në Kosovë për nënshkrimin e kësaj marrëveshje bashkëpunimi, tha se kjo është një mundësi e mirë për studentët e Fakultetit të Infermierisë të Kolegjit AAB, që njohuritë teorike t’i transferojnë edhe në praktikë.

“Kolegji AAB nga ky vit i ri akademik ofron edhe Programin e Infermierisë. Ne jemi të vetëdijshëm që ky program është specifik dhe qysh në fillim të implementimit të tij kemi menduar dhe dëshirojmë t’i qasemi seriozisht. Kjo është arsyeja pse kemi zgjedhur edhe Spitalin Amerikan në Kosovë, ku studentët tanë gjatë praktikës të jenë nën mbikëqyrjen e stafit të përgatitur profesionalisht mirë dhe me të gjitha kushtet”, tha prorektori Vehapi.

Ndërsa, kryeshefi Ekzekutiv, Novrus Çaushaj MD, tha se një sistem i mirë i shëndetësisë së avancuar nuk mund të qëndrojë mirë pa bashkëpunim me një sistem arsimor të avancuar. “Spitali Amerikan do të kontribuojë me të gjitha kapacitete që ka, që infermierët e ardhshëm, të dalë nga Kolegji AAB, të kenë një bazë të vërtetë shkencore të përgatitjes së tyre dhe nesër t’i ofrohen tregut të punës me krenari”, tha ai.

Me këtë marrëveshje do të përfitojnë edhe mbarë stafi i Kolegji AAB, të cilët do të gëzojnë të drejtat dhe privilegjet e zbritjes për çdo shërbim diagnostikues dhe për të gjitha trajtimet kirurgjikale e aktivitete të tjera profesionale, të ofruara nga Spitali Amerikan në Kosovë.

Palët në fund u ndanë të kënaqur me të arriturat e të dyja institucioneve për fushat që zhvillojnë, si dhe u dakorduan për fillimin e bashkëpunimit dhe vazhdimin e implementimit të pikave që janë paraparë me marrëveshjen e nënshkruar ndërinstitucionale. /KI/

Komentoni