Kosova

Eskspertët: Të riformësohet dialogu me Serbinë

Marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në të shumtën e rasteve nuk janë zbatuar.

Kryesisht me fajin e Serbisë. Duke pasur parasysh  këtë, shpesh herë është përmendur nevoja e një reformatizimi të dialogut. Njohësit e të drejtës ndërkombëtare, thonë se, përveç nivelit të delegacionit, duhet të ndryshojë edhe strategjia e Kosovës në këtë proces. Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri temat finale kërkojnë reformatim të dialogut.

Moszbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, është rezultat i konvertimit të dialogut teknik në dialog politik, pa u bërë ndryshimet e duhura.

Ai e përmend rastin e fundit të incidentit diplomatik në Bratislavë të Sllovakisë, ku ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, e ka lëshuar takimin ministror, për shkak se konferenca, e cila ishte e karakterit ndërkombëtar, nuk ka pranuar që Kosova të prezantohet me simbole shtetërore.

Ky rast dhe raste të tjerë, sipas Hotit, duhet të shfrytëzohen në mënyrë të mençur nga pala e Kosovës.

“Këto ngjarje duhet të shfrytëzohet për të ngritur zërin, për të denoncuar Serbinë se është ajo që i shkelë marrëveshjet dhe jo Kosova. Nëse vazhdohet me trend të tillë, mendoj se këtu nuk kemi të bëjmë me ndryshim të formatit të negocimit, po duhet të konsiderohet në mënyrë shumë serioze pjesëmarrja e mëtejme, sepse dialogu nuk ka kuptim kur marrëveshjet nuk zbatohen”, tha Hoti për Radio Kosovën.

Edhe profesori Bekim Baliqi e quan shterp dhe në dëm të Kosovës dialogun e zhvilluar deri më tani, ndërsa përmend marrëveshjen për targa si një dëshmi që, sipas tij, tregon se Serbia vazhdon ta forcojë pozitën e vetë.

Andaj, Baliqi thotë se formati i këtij dialogu duhet të ndryshojë.

“Duhet si përbërja e delegacionit, po ashtu edhe niveli i delegacionit, të ndryshojë në rend të parë. Formati i këtyre negociatave duhet të ndryshojë, e mbi të gjitha qasja dhe strategjia, të cilën e ka përdorur deri më tani Kosova, duhet patjetër të ndryshohet”, tha Baliqi për Radio Kosovën.

Nevojën e reformatimit të dialogut e ka përmendur edhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri. Në një intervistë për RTK-në, ajo ka thënë se pas fazës teknike dhe politike, duhet një reformatizim i dialogut, e kjo fazë, sipas saj, duhet të përfshijë një marrëveshje legalisht e detyrueshme, që do të kishte njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, demarkacionin e kufirit, mosndërhyrjen në sovranitetin e njëra-tjetrës, si shtet si dhe reparacaionet e luftës.

“Kur vijmë te faza e tretë, do të jetë faza e rrumbullakësimit të dialogut. Natyrisht, gjithë këto tema,  që i përmenda janë tema që kërkojnë reformatizim të dialogut. Për mendimin tim, do duhej të kishim një përfaqësim më të lartë, por të kishim edhe opozitën. Mendoj se do duhej të kishim një Ekip Uniteti, sikur në Vjenë, sepse kjo është faza finale”, tha Tahiri. Opozita nuk e përjashton mundësinë e përfshirjes në këtë proces të dialogut me Serbinë, por me kushtin që të ndërrohet formati i bisedimeve, që do të thotë të ndryshohet orientimi dhe platforma e dialogut, duke i ndarë dhe përcaktuar se cilat janë interesat e Republikës së Kosovës në këtë dialog.

Komentoni