Lajme

Eshtrat e gjetur në Novi Pazar dyshohet të jenë të luftës së Dytë Botërore

Mbetjet mortore të disa personave të gjetura në Novi Pazar, dyshohet se i takojnë periudhës së luftës së Dytë Botërore. Së paku kështu ka deklaruar kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj, pas bisedave që ka zhvilluar me autoritete të Novi Pazarit.

Gjetaj për KosovaPress, përmes telefonit ka treguar se ka zhvilluar biseda me autoritetet e Novi Pazarit ku kanë filluar procedurat për të identifikuar se çfarë përmbajtje kanë dhe se të cilës kohë janë mbetjet mortore të gjetura gjatë ditës së sotme.

“Është duke u punuar ende atje, janë të luftës së Dytë Botërore megjithatë komisioni i Serbisë janë angazhuar dhe kanë angazhuar prokurorin dhe gjykatësit, presim përgjigjen e autoriteteve forenzike. Do të thotë, nuk mund të japim kurrfarë përgjigje pa marrë një konfirmim zyrtar nga autoritetet e Serbisë, se çfarë përmbajtje kanë dhe cilës kohë janë. Më shkurt atje dyshohet se janë të periudhës së luftës së Dytë Botërore, por që kjo nuk është zyrtare, nuk mund t’iu konfirmoj pa marrë ndonjë përgjigje. Tash për tash ka mbet përgjigja me u dhënë nga forenzika”, tha ai.

Po ashtu, Gjetaj tha se do të jenë të njoftuar nga pala e Novi Pazarit lidhur me zhvillimet që do të ndodhin për mbetjet mortore të gjetura.

“Ne do të jemi të njoftuar dhe nëse ka ndonjë lëvizje patjetër se do të jemi të përfshirë, po tash është përgjigja e autoriteteve zyrtare profesionale edhe këta të komisionit nuk mund të japin ndonjë informatë pa marrë përgjigje prej anës profesionale”, tha ai.

Ndërkohë që ai tha se nuk ka marrë ndonjë afat kohor nga autoritetet e Novi Pazarit se kur do të dilet me rezultate. Sipas tij, edhe ata janë në pritje të përgjigjeve nga autoritetet e zyrtare.

Këto mbetje mortore janë gjetur gjatë ditës së sotme nga punëtorët që janë duke punuar në ndërtimin e ndërtesës së re të Ndihmës së Shpejtë në Novi Pazar.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*