Kulturë

Elina Duni sonte koncert në Prishtinë

Jazz kompozitorja dhe këngëtarja shqiptaro-zvicerane me famë ndërkombëtare, Elina Duni është mysafire e veçantë në gala mbrëmjen e Fondit Kosovaro Amerikan për Edukim “The Night of The Rising Stars” , që do të mbahet sonte në Prishtinë.

“The Night of The Rising Stars” do të jetë ngjarje bamirësie me qëllim të përkrahjes së të rinjve të talentuar Kosovarë përmes bursës për programe master – KAEF. Njëherësh, kjo mbrëmje synon që t’i festojë të arriturat e Kosovës në fushën e edukimit, prodhimtarisë dhe të kulturës.

Mbrëmja do të zë vend në ambientin idilik të Muzeut Etnologjik dhe do të shoqërohet nga një mini-koncert i ish-bursistëve të KAEF-it, të udhëhequr nga Shpat Deda (përfitues i KAEF-it), për të vazhduar me koncertin e këngëtares Elina Duni. Në mbrëmjen e ngjarjes, Muzeu Etnologjik do të jetë i hapur për mysafirët.

Fondi Kosovaro Amerikan për Edukim (KAEF) ofron bursa për studime master në disa prej universiteteve më të mira amerikane. KAEF është burim i rëndësishëm për studentët e talentuar Kosovarë që të fitojnë dituri shtesë dhe të njihen me mundësi të reja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri më sot, KAEF ka ndarë 87 bursa që nga viti 2005 për një grup të rinjsh të talentuar nga Kosova”.

Biletat për Gala mbrëmjen mund të blihen tek zyrat e Këshillit Amerikan për Arsim Ndërkombëtar, rruga Fehmi Agani, për 30 Euro. Numri i biletave është i limituar. Të gjitha përfitimet nga shitja e biletave do të kontribuojnë në fondin e bursës KAEF. 

Komentoni