Ekonomi

Eliminimi i boshllëkut të shkathtësive në tregun e punës të jetë prioritet i Qeverisë

Ndërlidhja më e mirë e sektorit të arsimit me sektorin privat duhet të jetë prioritet kryesor gjatë hartimit të reformave në sektorin e arsimit në vend, me qëllim që të reduktohet boshllëku i shkathtësive në tregun e punës në Kosovë. Kështu u tha sot në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me projektin e Rritjes së Punësimit të të Rinjve, ku edhe u prezantuan të gjeturat kryesore të një hulumtimi në këtë temë.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane vlerësoi se gjetja e kuadrove të kualifikuara për profile të caktuara është identifikuar si një problem serioz për shumë kompani në sektorin privat, gjë që drejtpërdrejt ndikon në konkurrueshmërinë e tyre. Kjo edhe ka nxitur nevojën e kryerjes së një hulumtimi të tillë, me qëllim të identifikimit të atyre shkathtësive të cilat më së shumti nevojiten në sektor privat, dhe të përpilohen rekomandime që mund të ndihmojnë në përmirësimin e dialogut mes institucioneve arsimore dhe kompanive private.

Patrick Etienne, Drejtor i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë, shprehu kënaqësinë e tij me hulumtimin e realizuar, duke konsideruar të gjeturat si shumë të rëndësishme dhe si indikatorë të rëndësishëm për eliminimin e problemeve me të cilat përballet sektori privat në aspektin e fuqisë punëtore. Ai kërkoi nga ministritë përkatëse të marrin në konsideratë të gjeturat e hulumtimit dhe që të promovojnë trajnimet profesionale në mesin e të rinjve, në vend të drejtimeve akademike, për të cilat mund të mos ketë kërkesa në tregun e punës.

Në prezantimin e raportit, Visar Hapçiu, Menaxher i Politikave në Odën Amerikane, sqaroi se hulumtimi ka përfshirë një anketë me 200 kompani në shtatë rajone të Kosovës, me fokus në tre sektorë të ekonomisë, gjegjësisht sektorin e prodhimit, tregtisë dhe shërbimeve. Sipas këtij studimi, boshllëku më i madh i shkathtësive është paraqitur në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve, veçanërisht në profile teknike që zakonisht mësohen në shkolla të arsimit dhe aftësimit profesional. Për më shumë, studimi vë në pah edhe mungesën e komunikimit të vazhdueshëm mes sektorit arsimor dhe atij privat, gjë që ka krijuar një situatë ku kurrikulat e institucioneve arsimore nuk janë në përputhje me kërkesat e kompanive për fuqi të kualifikuar punëtore.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se këto të gjetura do t’i hyjnë në punë ministrisë që ai drejton në hartimin e planeve apo reformave për sektorin e arsimit. Ai sqaroi se arsimi profesional do të jetë prioritet kryesor i ministrisë gjatë viteve në vijim, meqenëse është identifikuar si pike kryesore e intervenimit për të krijuar kuadro sipas nevojave të sektorit privat. Bytyqi po ashtu përmendi edhe disa nga sfidat kryesore me të cilat shkollat profesionale ballafaqohen, duke përfshirë këtu edhe vështirësitë financiare, si dhe u bëri thirrje bizneseve për bashkëpunim dhe komunikim më të shpeshtë me këto institucione.

Skender Reçica, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, prezantoi planet e ministrisë në këtë fushë, duke potencuar se synimi kryesor i tyre është që falë përgatitjes më të mirë profesionale dhe rritjes së mundësisë së punësimit, në Kosovë të ketë sa më pak familje në asistencë sociale. Reçica u zotua se në ministri do të krijohen grupe të punës për të analizuar të gjeturat e studimit dhe të shihet se si mund të përdoren ato për hartimin e politikave cilësore për aftësim profesional. Ai po ashtu përmendi edhe punën e qendrave të aftësimit profesional që funksionojnë në kuadër të Agjencisë së Punësimit, duke theksuar potencialin që ato kanë në përgatitjen e fuqisë punëtore.

Konferenca vazhdoi me diskutime të mëtejme mes bizneseve, institucioneve arsimore dhe organizatave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, ku dakordimi kryesor ishte se reforma e sistemit arsimor duke u bazuar në nevojat e sektorit privat është tejet e rëndësishme për zhvillimin ekonomik afatgjatë në Kosovë. /KI/

Komentoni