Lajme

Eksperti i OKB-së: Konvoji në Siri ishte goditur nga sulmi ajror

Eksperti i Kombeve të Bashkuara, Lars Bromley, thotë se pamjet satelitore tregojnë se sulmi ajror ishte përgjegjës për goditjet vdekjeprurëse kundër një konvoji me ndihma humanitare në Siri, muajin e kaluar.

“Me analizat tona, ne kemi përcaktuar se ishte një sulm ajror”, tha sot Bromley, hulumtues në organin e Kombeve të Bashkuara, që mbledh dhe analizon pamje satelitore (UNOSAT).

Lars Bromley, më tutje theksoi se UNOSAT e ka një pamje që “qartas” e paraqet dëmin në vendin në terren më 19 shtator.

Afro 20 njerëz janë vrarë nga sulmi që e ka goditur konvojin humanitar afër qytetit Alepo, në pjesën veriore të Sirisë.

Shtetet e Bashkuara i kanë fajësuar aeroplanët luftarakë rusë për sulm, që i ka shkatërruar edhe 18 kamionë, një depo dhe një klinikë.

Moska i ka hedhur poshtë akuzat dhe tha se konvoji ishte përfshirë nga zjarri.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, tha javën e kaluar, se do ta formoj një grup për hetimin e këtij rasti.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*