Kulturë

Edicioni i 24-t i manifestimit letrar “Kalimera Poetike” në Ulqin

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” do të organizojë më 2-4 gusht 2016 në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit edicionin e 24-t të manifestimit letrar “Kalimera Poetike”. Mysafirë të këtij edicioni janë shkrimtarët Flutura Açka nga Shqipëria, Ag Apolloni nga Kosova dhe Enes Haliloviq nga Novi Pazari (Serbi), të cilëve do t’u kushtohen mbrëmje autoriale. Krahas mbrëmjeve autoriale me shkrimtarët e ftuar, do të hapet edhe ekspozita e piktorit vendas Qazim Muja, duke rikthyer traditën e gërshetimit të fjalës së shkrimtarit me brushën e piktorit.

Qëllimi kryesor i kësaj veprimtarie është të promovojë krijimtarinë më të mirë letrare shqiptare, por edhe ballkanike dhe të huaj, në mënyrë që ta bëjë atë të njohur për publikun vendas dhe turistët.

“Kalimera Poetike” vlerësohet si ngjarja më e rëndësishme në fushën e letërsisë ndër shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë. Duke pasur parasysh rrugën e zhvillimit të kësaj veprimtarie ndër vite, mund të thuhet se “Kalimera Poetike” është shndërruar në orë letrare akademike të letërsisë shqipe. Që nga viti 2010, në kuadër të këtij manifestimi përveç me shkrimtarë shqiptarë janë organizuar mbrëmje autoriale edhe me shkrimtarë nga Mali i Zi, rajoni dhe më gjerë, duke bërë që “Kalimera Poetike” të shndërrohet në festival letrar me karakter rajonal dhe ndërkombëtar.

“Kalimera Poetike” organizohet rregullisht që nga viti 1993 dhe e ka marrë emrin nga mënyra e vjetër e peshkimit nëpërmjet kalimerave. Gjatë ditëve të zhvillimit të saj, Ulqini është vendtakim i shkrimtarëve shqiptarë dhe atyre nga rajoni.

Programi

E MARTË, 2 gusht 2016
(Muzeu në Kalanë e Ulqinit, ora 21.00)

Hapja e manifestimit

Fjala përshëndetëse
Ismet Kallaba, kryetar i SHAI “Art Club”

Mbrëmje autoriale
me shkrimtaren Flutura Açka

Flet për krijimtarinë e autores
Liridona Sinishtaj, studiuese e letërsisë

Moderator:
Hajredin Kovaçi
E MËRKURË, 3 gusht 2016
(Galeria “Kulla e Balshajve”, ora 21.00)

Ekspozitë figurative
e piktorit Qazim Muja

(Muzeu në Kalanë e Ulqinit, ora 21.30)
Mbrëmje autoriale
me shkrimtarin Ag Apolloni

Flet për krijimtarinë e autorit
Dr. Albulena Blakaj – Gashi, studiuese e letërsisë

Moderator:
Mr. Haxhi Shabani
E ENJTE, 4 gusht 2016
(Muzeu në Kalanë e Ulqinit, ora 21.00)

Mbrëmje autoriale
me shkrimtarin Enes Haliloviq

Flet për krijimtarinë e autorit
Vlatko Simunoviq, gazetar dhe publicist

Moderator:
Andrej Nikolaidis

Mbyllja e manifestimit

/ul-info.com/

Edicioni i 24-t i manifestimit letrar “Kalimera Poetike” në Ulqin

Komentoni