Lajme

Edi Rama: BE nuk duhet t’ia lë Ballkanin Rusisë

Në një intervistë për gazetën zvicerane ‘’Tagesanzeiger’’ kryeministri Edi Rama ka folur për zhvillimet aktuale në rajon dhe rolin e Shqipërisë.

Ju jeni jo vetëm kryeministër por edhe piktor. Me çfarë ngjyra do ta kishit paraqitur skenën politike të Ballkanit?

Edi Rama: Në rajon vërehet rritja e temperaturës politike. Për pasojë po vijnë ngjyra të errëta, por ne duhet të ndërmarrim gjithçka që të mbetet koloriti politik.

Ku mund të jetë rreziku më i madh?

Edi Rama: Në të gjitha vendet e rajonit ka zhvillime që tërheqin vëmendjen. Në Serbi më 2 prill mbahen zgjedhjet për president të vendit, prandaj po ndodhin përsëri provokimet përballë vendit të ri fqinj, Kosovës. Provokimi i fundit ishte me trenin. Udhëheqja e Kosovës ndërkaq dëshiron të krijojë ushtrinë. Iniciativa të tilla që merren pa konsultime me fuqitë e mëdha perëndimore vetëm sa rrisin tensionet. Në anën tjetër, nga forca radikale po vihet në pikëpyetje uniteti i Bosnjës. Në Maqedoni gjendja mund të dalë plotësisht nga kontrolli. Sepse presidenti i shteti po refuzon t’ia japë mandatin për themelimin e qeverisë partisë më të madhe të dytë, e cila ka bërë koalicion me partitë shqiptare. Mali i Zi ka kaluar zgjedhjet parlamentare dramatike, ku siç duket formacione të errëta në shërbim të Rusisë provuan të heshtnin punën e koalicionit pro-evropian.

Ju para pak kohësh keni kritikuar në mënyrë të ashpër Maqedoninë: Ky vend nuk mund të ekzistojë pa shqiptarë. Pse ky kërcënim?

Edi Rama: Ne jemi fqinjët e vetëm që nuk e kemi vënë në pyetje asnjëherë emrin shtetëror të Maqedonisë, ndërsa nuk kemi mohuar asnjëherë as gjuhën dhe as identitetin kombëtar maqedon. Ne vetëm kërkojmë që Qeveria e Shkupit të respektojë në mënyrë gjithëpërfshirëse të drejtat e shqiptarëve. Është e pakuptueshme për ne nëse sllavomaqedonët refuzojnë gjuhën shqipe të bëhet gjuhë zyrtare edhe pse popullata shqiptare gati përbën një të tretën e popullsisë. A mund të merrni me mend diçka të tillë në Zvicër? A mund të merret me mend që frëngjishtja të jetë gjuhë e ndaluar në administratë apo në gjykatë?

Ju e paralajmëroni Bashkimin Evropian nga rreziku i ndikimit rus. Vërtet është gjendja kaq serioze?

Edi Rama: Rusia po ndjek interesat strategjike. Ne jemi një rajon shumë i rëndësishëm transit midisi Evropës dhe Azisë me dalje në Mesdhe dhe Detin e Zi. Për fat të keq, në BE po mungon ky aspekti strategjik. Baraspesha e forcave po ndryshon, derisa Brukseli vazhdon të sillet në mjegull. Ne jemi pak edhe të pa fat, pasi BE-ja aktualisht po përjeton një krizë të rëndë.

Mund të thuhet se politikanët e Ballkanit po provokojnë me parulla shoviniste, nuk po i përmbushin kriteret e Bashkimit Evropian dhe pastaj po fajësojnë Brukselin për stagnim?

Edi Rama: Natyrisht si zot shtëpie ne mbajmë barrën kryesore të përgjegjësisë për situatën në rajon. Por, nuk guxon të harrohet historia më e re: Luftërat në Jugosllavi kanë çuar në shkatërrimin thuajse total të ekonomisë, pasoja e sundimit komunist-para se gjithash në Shqipëri nuk është tejkaluar ende, mungon një traditë e demokracisë, institucionet ende janë të dobëta. Nisur nga kjo trashëgimi, vendet e Ballkanit mund të zhvillojnë demokraci të pjekura vetëm brenda Bashkimit Evropian.

Sa të sigurt janë kufijtë në Ballkan?

Edi Rama: Të themi kështu: për sa kohë njerëzit dhe politika elite e Ballkanit nuk humbin besimin në anëtarësimin e vendit të tyre në Bashkimin Evropian, kufijtë do të jenë të qetë. Kufijtë do të jenë në rrezik nëse Bashkimi Evropian nuk ndërmerr asgjë dhe na lë në dorë të rusëve.

A do të mundë ta destabilizonte rajonin një valë e re refugjatësh?

Edi Rama: Gjithsesi! Kriza e refugjatëve para dy vitesh dëshmoi një gjë paradoksale. Në rrugët e Ballkanit njerëzit nga Siria dhe zona të tjera të luftës u trajtuan në mënyrë më njerëzore se sa nga disa shtete brenda Bashkimit Evropian. Por ne nuk mund ta luajmë rolin e shpëtimtarit të Evropës.

Çfarë do të thotë kjo?

Edi Rama: Kjo do të thotë se vetëm kur brenda BE-së do të sundojë uniteti për zgjidhjen e krizës së refugjatëve, tek atëherë edhe vendet e Ballkanit do të mundë të japin kontributin e tyre. Edhe ne në Shqipëri, brenda një kuadri të një shpërndarje proporcionale, jemi të gatshëm të pranojmë refugjatë.

Sa është e madhe frika nga një tërheqje e amerikanëve nga rajoni?

Edi Rama: Për këtë nuk duam të mendojmë fare. Për një stabilitet të Ballkanit prezenca ushtarake dhe diplomatike amerikane është esenciale.

Para zgjedhjeve në SHBA, keni thënë se zgjedhja e Donald Trupit për president është një fatkeqësi për botën.

Edi Rama: (Hesht një kohë dhe vizaton mbi një letër të bardhë) Këtë nuk do ta kisha mbivlerësuar. Deklarata ime ka qenë një pikë uji në det, derisa në gjithë botën zhvillohej një debat plot shqetësime për këtë.

Përkrah rusëve, edhe turqit me politikën e tyre neo-osmane dëshirojnë të rikthejnë ndikimin e tyre të dikurshëm. A do të cilësoni Erdoganin edhe më tej mik tuajin, përkundër sulmeve të tij të fundit kundër demokracisë perëndimore?

Edi Rama: Jam shumë i vogël për t’u përzier brenda këtyre diskutimeve midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë. Ashtu siç ndodh në Ballkan edhe në Turqi para referendumit për ndryshime kushtetuese, ka rritje të emocioneve. Gjaknxehtësia në situata të nxehta jo gjithmonë na ka sjellë favore. Ankaraja është për ne një partner i rëndësishëm strategjik, por në planin e jashtëm politik ne kemi vetëm një synim, Bashkimin Evropian.

Por nga kjo Shqipëria duket se është ende shumë larg. Derisa në po flasim këtu, para zyrave tuaja po proteston opozita me kërkesën kundër korrupsionit dhe për zgjedhje të lira?

Edi Rama: Kjo është e pakuptimtë. Disa drejtues të opozitës kanë frikë nga reforma në drejtësi, e cila do të jetësohet në bashkëpunim me ndërkombëtarët. Shqipëria ndodhet para një vale radikale të spastrimit në drejtësi. Në të ardhmen do të angazhohen vetëm prokurorë dhe gjykatës të kualifikuar dhe me integritet moral, të cilët do ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Kjo po tingëllon bukur, por që nga marrja e pushtetit nga partia e juaj, para katër vitesh, në Shqipëri është katërfishuar prodhimi i kanabisit.

Edi Rama: Ne jemi qeveria e parë që shkatërrojmë pa mëshirë fushat me kanabis. Polica është e detyruar të informojë opinionin publik për çdo rast të tregtimit ilegal. Në të kaluarën nuk ka qenë e qartë se cilët dilerë janë luftuar nga policia dhe cilët ishin marrë në mbrojtje. Unë llogaris që këtë vit do të arrijmë përparime të dukshme në luftën kundër këtij fenomeni shqetësues për shoqërinë tonë.

Të premten vizitoni Zvicrën. Me çfarë pritjesh vini në vizitën tuaj të punës në Bern. Ju e keni përshkruar Zvicrën si një vend monoton?

Edi Rama: Shpresoj të mos jem keqkuptuar. Zvicra është një demokraci funksionale, një tjetër planet në kuptimin më të mirë të fjalës, prandaj ndoshta është monotone të krahasohet me shtetet e zhurmshme të Mesdheut, sepse niveli i zhvillimit të Zvicrës për ne mbetet i pa arritshëm. Ndoshta sjellja ime i ngjan asaj të dhelprës që kur nuk kishte arritur të mbërrinte rrushin e pjekur, në pjergull, për arsyetim thoshte se nuk i hahej rrushi i ëmbël. Megjithatë, ne, mund të mësojmë shumë nga Zvicra.

Si i shihni mundësitë e bashkëpunimit?

Edi Rama: Zvicra që nga rrëzim i komunizmit para 25 vitesh ka ndihmuar shumë në zhvillimin e Shqipërisë. Për këtë jemi shumë falënderues. Ne jemi të hapur për investitorët dhe turistë nga Zvicra. Një linjë ajrore midis Cyrihut dhe Tiranës do ta bënte udhëtimin më të thjeshtë, kjo edhe për ata 200.000 shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia që jetojnë në Zvicër dhe duan t’i kalojnë pushimet verore në plazhet tona./Tages-Anzeiger, Përktheu: Fadil Gashi

Leave a comment

Your email address will not be published.


*