Kosova

Edhe Tirana proteston kundër Demarkacionit me Malin e Zi

Kundërshtimin për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malin e Zi janë shtrirë edhe në Tiranë.

Profesorë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë njoftuar se do të protestojnë ditën e hënë të 29 gushtit, përpara selisë së Ambasadës së Kosovës kundër këtij projekti. “Kosova dhe kombi shqiptar nuk ka tokë për të falur. Ne bëjmë thirrje për bashkim në tubimin-protestë para Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë, të hënën, më 29 gusht 2016, në ora 12:00, në kundërshtim të Marrëveshjes së Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të zi”, thuhet në një njoftim për media. 

Në njoftimin në fjalë nënvizohet se, personalitete dhe qytetarë nga Republika e Shqipërisë e kanë ndjekur me shqetësim të madh qëndrimin e qeverisë së Kosovës për këtë çështje. “Ekspertë të shquar të gjeografisë, hartografisë, gjeodezisë dhe të së drejtës ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, në Republikën e Shqipërisë dhe më gjerë, me argumente dhe fakte të pakontestueshme tregojnë se shqiptarët me këtë akt të fundit ndërkombëtar vijojnë të humbin territore, sovranitet, subjektivitet politik, në Ballkan dhe Evropë”, thuhet tutje në njoftim.

Ata thonë se janë bazuar në llogaritjet e ekspertëve dhe shoqërisë civile, ku dëmi në territore vlerësohet të jetë të paktën 8.200 hektarë (82 km2) territor nga rajoni i Dukagjinit. 

“Territor, që Komisioni Shtetëror i Kosovës ia dorëzon arbitrarisht Malit të Zi”, thuhet në njoftim.

Komentoni