Lajme

E zhytur në probleme financiare, RTK-ja shton numrin e të punësuarve

Në tremujorin e dytë të vitit Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ka vazhduar të përballet me probleme financiare, por njëkohësisht edhe ka shtuar numrin e të punësuarve.

Këto të dhëna kanë dalë në shesh në një debat në Komisionin për Buxhet dhe Financa, ku deputetët kanë kritikuar menaxhimin e këtij institucioni publik, derisa drejtori i përgjithshëm është arsyetuar me kufizime ligjore, shkruan sot Koha Ditore.

Të hënën, në Komisionin për Buxhet dhe Financa u shqyrtua Raporti financiar i RTK-së për periudhën prill – qershor 2016 dhe programi i shpenzimeve për periudhën korrik – shtator. Ky raport u përcoll me kritika të shumta nga dy deputetet Besa Gaxherri dhe Labinota Demi-Murtezi, të cilat kritikuan RTK-në për numrin e madh të punëtorëve dhe tejkalim të buxhetit të paraparë.

Gjendjen jo të mirë financiare të RTK-së e paraqet edhe Raporti i Auditorit për vitin 2015, sipas të cilit RTK-ja e ka përmbyllur vitin me borxh prej 4 milionë e 631 mijë eurosh.

Se situata e RTK-së është e nderë e pranoi edhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, i cili u kritikua nga deputetja Gaxherri pse Shala ishte autorizuar nga kryetari i Bordit të RTK-së që të prezantojë raportin e këtij institucioni medial, duke thënë se një gjë e tillë nuk është ligjore dhe se në mungesë të kryetarit, do të duhej që të fliste ndonjë anëtar i bordit.

Gaxherri e kritikoi atë edhe për tejkalim të shpenzimeve të parapara për paga dhe mëditje. “Në paga dhe mëditje janë 38 mijë e 690 euro më shumë se sa të planifikuara. Ju i keni 3 milionë e 300 mijë euro të planifikuara, ndërsa 38.690 euro janë më shumë të shpenzuara se që janë planifikuar. Prej kësaj del se në total i keni 8 mijë euro. Ajo çka ka ndodhur është që në investime kapitale edhe shërbime publike nuk ka pasur”, ka thënë Gaxherri.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*