KulturëToplajm

Dymbëdhjetë artistë në Koncertin Humanitar për Nënë Terezën që do të mbahet në Vatikan

Inva Mula, Ermonela Jaho, Rita Ora, Shkëlzen Doli, Saimir Pirgu, Ramë Lahaj, Gëzim Myshketa, Don Lush Gjergji, Lorik Cana, Andi Bajgora, Lum Veseli dhe Majlinda Kelmendi janë emrat e konfirmuar të cilët do të jenë pjesë e koncertit 90 minutësh i cili do të mbahet më 3 shtator në Vatikan, vetëm një ditë para ditës së shenjtërimit të Nënës Terezë. Një gjë e tillë bashkë me gjithë programin u bë publike sot në një konferencë për medie të thirru nga Ipeshkvia e Kosovës dhe producentja e gjithë këtij koncerti Diana Toska. Ndërkohë kanë mbetur edhe dy emra të tjerë të pa konfirmuar të cilët pritet shumë shpejt të konfirmohen, ndërsa të gjithë solistët do të interpretojnë bashkë me Filharmoninë e Kosovës.

Në këtë konferencë nga të pranishmit që ishin në një numër goxha të madh, u tha se viti 2016 pa mëdyshje do të shënohet në historinë e kishës katolike të shqiptarëve dhe popullit shqiptarë, sepse bija e kësaj kishe dhe këtij populli do të shpallet e shenjtë nga ati i shenjtë Papa Francesku me 4 shtator 2016 në Vatikan.

“Kisha katolike do të shtegtoj në Vatikan me një numër të konsiderueshëm për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për gjithë shqiptarët. Në vitin 2015 me 5 shtator në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë është mbajt koncerti për Nënë Terezën i ashtuquajturi koncerti i Himnit të Nënë Terezës, që ishte ideuar nga producentja Diana Toska. Nga këtu ka lind ideja që i njëjti koncert të bartet e të ekzekutohet në Vatikan”, tha fillimisht Dom Fatmir Koliqi.

Vendi ku do të mbahet koncerti, u tha se është njëra ndër bazilikat më madhështore papnore në Romë që quhet Bazilika Papnore e Shën Palit. Ndërsa sa i përket programit përpos falenderimeve dhe prezantimit të artistëve ku ndër ta të pranishëm ishin dy yjet e filmit “Shok”, film ky i nominuar për OSKAR, Lum Veseli dhe Andi Bajgora, producentja e gjithë këtij organizimi Diana Toska, tha se tashmë kemi një përgjegjësi të madhe shtetërore para gjithë botës.

“Kemi të bëjmë me një përgjegjësi shumë të madhe si shtetërore ashtu edhe personale. Dua të iu falënderoj të gjithë artistëve që kanë shprehur dëshirë shumë të madhe të jenë pjesë e programit dhe nuk kemi mundur ti fusim, shpresoj që të gjithë të na kuptojnë”, pohoi Toska.

Të pranishëm ishin edhe Don David Gjugja nga radio Vatikani dhe Baki Jashari drejtor i Filharmonisë së Kosovës, të cilët u shprehën shumë të nderuar që janë pjesë e këtij organizimi.

“Në cilësinë e drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, më lejoni të them që është nder për institucionin tonë, që sikurse vitin e kaluar kur është bërë prezantimi i himnit të Nënës Terezë, ashtu edhe këtë vit në vigjilje të shenjtërimin e Nënës Terezë të prezantohemi atje me gjithë potencialin tonë krijues e interpretativ”, përfundoi Baki Jashari.

Koncerti i Nënës Terezë në Vatikan do të mbahet me 3 shtator me fillim nga ora 19:30 ndërsa shenjtërimi i saj do të bëhet vetëm një ditë pas, pra me 4 shtator nga Papa Francesku ne Vatikan. I gjithë ky organizim është mbështut financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës. /KultPlus.com/

Komentoni