Lajme

Dosja e Shefave: Shteti në dorë të nëntokës

Njeriu që mban gjallë fuqinë në prapaskenë të PDK-së së pushtetshme është Adem Grabovci. Koordinon të gjitha aktivitet e paligjshme të partisë. I luten të gjithë për kryerjen e favoreve. Ai iu nënshtrohet vetëm dy vetave: Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Adem Grabovcin të gjithë e thërrasin “shef”. I tillë është me veprime kur është fjala për të shpërdoruar autoritetin zyrtar.

Fuqia e tij dhe strukturës së Partisë Demokratike të Kosovës dëshmohet me një seri përgjimesh telefonike që ka siguruar Insajderi. Vetëm për dy muaj, nëntor – dhjetor 2011, ai punëson qindra njerëz, zgjedh dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.

Heq nga lista njerëz që në teste dalin të parët për pozita udhëheqëse. Ndërron komisione për konkurse. Madje i anulon konkurset në ato raste kur njerëz të tij nuk marrin pikë të mjaftueshme.

Pos kësaj, Grabovci punëson njerëz të vetë në Policinë e Kosovës, zgjedh prokurorë e gjyqtarë. Mes tyre, Sali Mekajn e bën kryetar të Gjykatës së Apelit, Sylë Hoxhën e bën kryeprokuror të Prizrenit. Kërkesa të shumta për ta takuar Grabovcin bën Haxhi Dërguti, atë kohë prokuror në Prokurorinë e Qarkut të Prishtinës. Aktualisht, Dërguti është kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit.

Gjithë këto veprime Grabovci i bën me dijeni dhe në bashkëveprim me Hashim Thaçin, president i Kosovës të cilin e quan “shef”.

Insajderi ka siguruar mbi njëmijë biseda të përgjuara telefonike të nxjerra me vendim gjykate të Adem Grabovcit, gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2011. Ishte hetuar nga EULEX-i.

Asokohe, Grabovci, shef i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës hetohej për vepra penale të krimit të organizuar, shpërdorimit të detyrës zyrtare e lidhje kontratash të dëmshme. Këto veprime dyshohej se i kishte kryer gjatë kohës sa ishte zëvendësministër i Transportit dhe Postë-Telekomit.

Kjo ministri drejtohej nga Fatmir Limaj, i cili po përballet me një gjykim për vepra të njëjta penale për të cilat dyshohej Grabobvci.

Hetimi për Grabovcin ishte mbyllur në mungesë provash. Por, përgjimi i tre numrave telefonik ka zbuluar se Grabovci përdorte gjithë fuqinë dhe autoritetin zyrtar për të kryer punë në interes të njerëzve të tij, të militantëve partiakë dhe për të dëmtuar të tjerë që nuk i përkisnin linjës dhe interesit të tij.

Gazeta online Insajderi ka përzgjedhur një seri përgjimesh telefonike që lidhen me veprimet politike, ndërhyrjet në punën e Kuvendit dhe deputetëve, ndikimin ndërkombëtar mbi PDK-në dhe Hashim Thaçin dhe votimin me çdo kusht të dy ligjeve të kontestueshme atë kohë: atë për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjit për Hoqën e Madhe të Rahovecit.

Ndikimi i njerëzve të përgjuar shtrihet mbi secilin institucion të Kosovës, përfshirë pushtetet e pavarura. Ai ka ndikim mbi sistemin gjyqësor, atë prokurorial, mbi Policinë e Kosovës, mbi media siç është Televizioni Publik, disa gazeta ditore, mbi një televizion privat dhe mbi shumë gazetarë.

Grupi i tij politik kontrollon Universitetet, zgjedh për anëtarë bordesh zyrtarë të lartë partiakë si dhe cakton udhëheqës të këtyre institucioneve.

Gjithashtu, Grabobvci ka ndikim mbi biznese siç është kompania “Dukagjini” e Ekrem Llukës dhe kompaninë “Devolli Group”, asokohe pronë e vëllezërve Shkelqim e Blerim Devolli.

Ndikim dhe punësime në institucione shtetërore kanë edhe djemtë e tij, Ngadhënjimi dhe Guximi.

Në këto përgjime Grabovci zbulohet duke i dhënë listë me emra njerëzish, drejtorit të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni për punësim në këtë institucion.

Insajderi do të sjell një seri bisedash të Grabovcit me Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Shaip Mujën, Ramë Bujën, Ilhami Gashin, Hajdar Beqën, Latif Gashin, Azem Sylën, e zyrtarë tjerë shtetërorë e partiak.

Bisedat dëshmojnë veprimet dhe metodat e Thaçit për të mbajtur dhe forcuar pushtetin me çdo kusht.

Njerëzit me të afërm të tij janë Shkelqim Devolli me të cilin komunikon disa herë në ditë, Hajdar Beqën, Shaip Mujën, Ilhami Gashin e Ramë Bujën, etj.

Përgjimi zbulon po ashtu talljet e deputetëve të PDK-së me deputetët e pakicave. Serbët quhen “shkije”, ndërsa romët, ashkalitë dhe egjiptasit – “magjup”.

Insajderi ka kontaktuar me shumicën e protagonistëve, por ata kanë refuzuar të flasin për këtë çështje.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*