Kulturë

Domingo vlerëson lart Lahajn, të dy duan paraqitje të përbashkët në Kosovë

“Jam shumë krenar me të. Ai ka temperamentin, zërin dhe dukjen.”

Kështu e përshkruan tenorin shqiptar më famë botërore, Ramë Lahaj, tenori i famshëm spanjoll, Placido Domingo.

Tenori me prejardhje nga Istogu ka publikuar një video, në të cilën Domingo çmon lart veprimtarinë e Lahajt, i cili tashmë është ngjitur në skenat prestigjioze të operës në botë.

Duke folur për talentin që posedon tenori shqiptar, Domingo bëri të ditur se Lahajt, tashmë i ka bërë ftesë për ta shoqëruar atë në koncertet e shumta.

“Unë do të jem i lidhur me karrierën e Ramës, ku tashmë e kam ftuar në koncerte të ndryshme dhe po mendoj se cilën operë do ta këndojmë në të ardhmen”, thotë ai. “Tashmë ai vërtet mund të jetë njëri nga tenorët e mëdhenj! Sigurisht se do të doja të shkoja në vendin e tij të lindjes dhe mezi pres një ditë të shoh publikun e mrekullueshëm të Kosovës, duke kënduar së bashku me Ramën”.

Në një intervistë për KTV-në, Lahaj ka shprehur po ashtu dëshirën që një ditë të sjellë para publikut shqiptar Domingon. Megjithatë ai ka thënë se një gjë e tillë tash është vështirë të ndodhë për shkak të mungesës së një salle.

Mjeshtri i interpretimeve shtoi se Lahaj është në kohë të përkryer të përgatisë paraqitjet e tij.

“Lahaj është njëri prej fituesve më të mëdhenj të Operalias. Ai ka interpretuar në teatrot më të rëndësishëm të botës. Unë besoj që zërat kanë një lloj natyrshmërie që i bën të veçantë. Kur zëri ka kualitet nuk është me rëndësi se prej nga vjen. Në Kosovë mund të mos jenë paraqitur shumë, por me kohë do të vijnë këngëtarë të tjerë. I gjithë ai rajon është me talente të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Këto vlerësime të Domingos për tenorin Lahaj, të paraqitura në këtë video janë pjesë të shkëputura nga dokumentari “Placido Domingo for Ramë Lahaj”, i cili ende nuk është publikuar.

Tenori i famshëm spanjoll, Plácido Domingo, është një prej tenorëve më me ndikim në botë. Ai ka fituar 14 shpërblime Grammy dhe Latin Grammy dhe incizimet e tij kanë fituar famë ndërkombëtarisht. Në vitin 1990, ai filloi të interpretonte me kolegët e tij tenorë, Luciano Pavarotti dhe José Carreras si pjesë e treshes, “Tre tenorët”. Incizimi i parë i tyre u bë një prej albumeve më të shitura të muzikës klasike në historinë e këtij zhanri. Domingo gjatë gjithë karrierës së tij e ka promovuar artin e Opera-s, duke organizuar dhe qenë pjesë e koncerteve të shumta, si dhe duke shërbyer si drejtor gjeneral i shtëpisë së Operës në LosAngeles. Ai po ashtu shquhet për angazhimin e tij në çështje të ndryshme bamirëse, si dhe për përpjekjen e tij për t’i ndihmuar këngëtarët e rinj të operës, përfshirë këtu edhe themelimin dhe menaxhimin e garës ndërkombëtare të këndimit, “Operalia”.

Komentoni