Ekonomi

Do të rrënohen objektet pa leje përskaj hekurudhës, sfidë edhe vendkalimet

Disa prej hekurudhave në Kosovë nuk janë aktive. Edhe pse binarët janë të trasuar deri në Prizren, treni shkon deri në Pejë. Një pjesë e binarëve të “trenit për Prizrenit” janë hequr, e shpesh edhe objekte të ndryshme janë ndërtuar pranë tyre, apo edhe kanë cenuar hapësirën e binarëve.

Gjendje më e mirë nuk qëndron as në hekurudhën që shkon në drejtimin nga Prishtina në Podujevë.

Objektet pa leje afër hekurudhave do të rrënohen nëse qëndron vullneti për këtë veprim nga organet përkatëse komunale. Kështu është shprehur kompania “Infrakos”, e cila merret me operimin, mirëmbajtjen dhe rritjen e vijave hekurudhore për operim.

“Nëse janë pa pëlqim, ne do të fillojmë iniciativë për rrënimin e tyre dhe komunat përkatëse të veprojnë. Ato duhet t’i kryejnë obligimet e tyre”, ka thënë Vlora Jahaj, zyrtare për informim në kompaninë publike “Infrakos”, shkruan Ndërtimi.info.

Për objektet e ndërtuara pa leje, Gëzim Qerimi nga bordi i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, ka deklaruar mundësinë e rrënimit të atyre ku dëmi nuk është i madh ose vendosjen e mureve mbrojtëse afër hekurudhave që ndërtimet të mos jenë pengesë.

“Objektet që ndërtohen afër hekurudhave duke mos e respektuar ligjin, në bashkëpunim me komunat por edhe me qytetarët do ta bëjmë një zgjidhje. Nëse nuk është dëmi i madh dhe ka mundësi të ketë kompensim, duhet të rrënohen duke e respektuar ligjin ose përndryshe duhet të vendosen mure mbrojtëse afër hekurudhave që ndërtimet pastaj të mos jenë pengesë”, ka deklaruar Qerimi.

Mirëpo, halli i Qerimit është diku tjetër. Ata brengosen për vendkalimet ilegale në hekurudha. Sipas tyre, vendkalimet ilegale janë shkaktari i aksidenteve. Kompania “Infrakos” ka pranuar ekzistimin e një numri të madh të vendkalimeve në nivel që rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe ka pranuar marrjen e masave ligjore për to.

“Pas luftës banime të reja kanë qenë problem kryesor për sigurinë e qytetarëve ku pa pëlqimin e Hekurudhës janë kryqëzuar shumë rrugë me hekurudhën si vendkalime në nivel. Ndërsa për të gjitha vendkalimet pa pëlqim paraprak Hekurudha i ka marrë të gjitha masat ligjore dhe i është drejtuar investitorit për të siguruar vendkalimet sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në përgjigjen e kësaj kompanie.

Numri i vendkalimeve është rreth 100, sipas Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

“Problemi është kryesisht i qytetarëve që i kanë kalimet afër hekurudhës dhe nuk i shfrytëzojnë rrugët zyrtare por që të dalin më shpejt atëherë kalohet nga hekurudhat. Por dihet që çdo vendkalim duhet të jetë me rregulla të komunikacionit”, ka thënë Qerimi.

Tjetër problem në hekurudhat e Kosovës është edhe mungesa e investimeve. Anëtari i Bordit në institucionin rregullativ të hekurudhave, Gëzim Qerimi, ka thënë se shkaku i investimeve në pjesë të tjera është neglizhuar hekurudha. Mirëpo, prej këtij viti me financimin e BE-së do të ketë investime.

“Investime nuk ka pas deri më tash sepse nuk ka qenë prioritet i shtetit. Kjo sepse kryesisht është investuar në autostradë. Prej këtij viti me ndihmën prej 208 milionë eurosh nga BE dhe organizata tjera, do të investohet në linjën kryesore Hani i Elezit-Leshak, modernizimin e rrjetit hekurudhor dhe linjën ndërkombëtare që e lidh Kosovën me Maqedoninë me Serbinë”, ka shtuar ai.

Komentoni