Kosova

DnV lanson fushatën informuese për votuesit në Zgjedhjet Lokale 2017

Koalicioni i Organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim (DnV)”, ka lansuar sot fushatën për informim dhe edukim të votuesve për Zgjedhjet Lokale 2017.

DnV ka përzgjedhur që këtë lansim ta bëjë më 15 shtator, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

Në hapje të kësaj ngjarje në Prizren, drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, organizatë lidere e DnV-së, ka theksuar se kjo fushatë është vazhdimësi e fushatës “#AsUne” që do të ketë fokus primar informimin sa më të saktë të votuesve.

“Sapo e kemi kaluar një proces zgjedhor që ka rezultuar me një numër shumë të lartë të fletëvotimeve të pavlefshme, përkundër që sistemi zgjedhor dhe mënyrat e votimit kanë qenë po ato të vitit 2014. Kjo i rrit shqetësimet tona edhe më shumë, duke ditur që në zgjedhjet komunale të 22 tetorit, procedurat e votimit do jenë ndryshe nga ato në zgjedhjet parlamentare. Në mënyrë që të parandalojmë humbjen e votave të qytetarë ose zvogëlimin e numrit të fletëvotimeve të pavlefshme ne kërkojmë nga KQZ-ja të bëjë përpjekje të shtuara për të edukuar dhe informuar votuesit për mënyrën e votimit” , ka thënë ndër të tjera ai.

Kurse, shefi i Sektorit politik, ekonomik dhe integrimeve evropiane në Zyrën e BE-së/PSBE, Riccardo Serri, ka thënë se Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është një rast për të reflektuar për nevojën ekzistuese të çdo shoqërie për t’i fuqizuar institucionet demokratike, shoqërinë civile dhe sundimin e ligjit.

DnV gjatë muajit në vijim do të punojë posaçërisht me të rinjtë që të inkurajojë pjesëmarrjen e tyre në proces zgjedhor. Aktivitete të ngjashme edukuese pritet të organizohen edhe në komunat tjera të Kosovës.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të fushatës vetëdijësuese të DnV-së dhe mbështetet nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Komentoni