Lajme

`Diplomacia të jetë shumë më aktive në Asamblenë e Përgjithshme`

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare e shohin si mundësi të mirë për shtimin e njohjeve të  reja, pjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Sipas tyre, kjo mundësi nuk është shfrytëzuar gjithmonë si duhet, ngase siç thonë, ky eveniment është përdorur për turizëm politik.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara është një rast i mirë për të shtuar numrin e njohjeve për Republikën e Kosovës. Kështu vlerëson profesori i Të Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti,  i cili thotë se ky eveniment është një momentum i jashtëzakonshëm për lidershipin politik të Kosovës që të angazhohet për shtimin e numrit të njohjeve, që ka ngecur tash e sa kohë. Ai është kritik për qasjen e deritashme të Kosovës, karshi kësaj ngjarje ndërkombëtare.

“Praktika e deritashme fatkeqësisht tregon trendë negative për faktin se ky eveniment, në të shumtën e rasteve është përdorur për turizëm politik, sepse Kosova në rastet më të shpeshta nuk është përfaqësuar në nivelin e duhur. Kemi pasur delegacione jashtëzakonisht të stërngarkuar, por që profesionalizmi dhe niveli i përgatitjes së këtyre njerëzve nuk ka qenë i kënaqshëm dhe si rrjedhojë e  tëra që kemi bartur ka qenë një kosto jashtëzakonisht e lartë e pjesëmarrjes në këtë forum, por njohjet nëse jo krejtësisht të ngecura, atëherë numri i tyre ka lënë për të dëshiruar”, tha Hoti për Radio Kosovën.

Ndërsa, profesori Bekim Baliqi thotë se diplomacia e Kosovës duhet të jetë shumë më aktive në Asamblenë e Përgjithshme dhe të ketë një strategji të re për t’iu kundërvënë diplomacisë serbe.

“Argumenti apo deklaratat e palës serbe të hedhen poshtë, pasi që po e shohim që sa vite, mbajtja e Asamblesë së Përgjithshme po shfrytëzohet nga diplomacia serbe për të bllokuar njohjet e reja të Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë”, tha Baliqi për Radio Kosovën.

Delegacioni i Kosovës në Nju Jork po e shfrytëzon këtë mundësi për shtimin e numrit të njohjeve. Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës, thotë se priten lajme të mira në këtë drejtim.

“Gjatë këtyre ditëve në takimet që kryeministri Mustafa dhe unë me shumë vende jo njohëse kemi marrë zotimet që disa nga to do të marrin vendim pozitiv dhe do ta njohin Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj ka thënë se qëllimi i delegacionit të Kosovës në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka të bëjë me atë se si gradualisht Kosova të integrohet në sistemin ndërkombëtar, të bëhet anëtare e OKB-së dhe kjo sipas tij, mund të arrihet përmes rritjes së numrit të njohjeve, por edhe përmes anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*