Lajme

Dilni burra, hipni atit e ngulni ma ata gurë…

Shkruan: Faruk TAShOLLI

O kryeministër, o ministra, o partiakë e kryepartiakë, o shkencëtarë e o komisionarë të asaj vijës se kuqe në hartë që i thonë kufi me Malin e Zi, na lodhtë me fjalë, na lodhtë më sjellje primitive dhe me këto shtrëngata rrenash që e mjegulluan tash sa kohë qiellin politik të Kosovës. Leni fjalët burra, hipni atit dhe kaloni terrenin malor kah bie ai viran kufiri. Merrni me vete disa kaca gëlqere dhe secili le ta qesë në terren vijën e vet ta shohim edhe na ku asht. Pastaj thirrni fqinjët tanë malazezë le ta pleqnojnë edhe ata këtë vijë në tokë e jo në qiell, si përrallat me drangonin e kuçedrën. Mos i lidhni ato viza të Evropës me dallaveret e juve. Mos hupni mija orë pune tu u sha nga zyra në zyre nga televizioni në televizion, si po bani sa me arsyetua veten se jeni gjallë, se i keni do funksione që ua paguajnë taksat e popullit e ju talleni me atë popull. Mos i qitni hi syve popullit me ato viza po mbani fjalët tuja për ato vende pune që i premtuat në fushatë. Jeni lidh për viza si për hunin e lamës. Hipni atit e dilni në Qakorr. Dy ditë punë kini aty e jo ma shumë. Rrezikoni me shkelë maleve se edhe ashtu ju jeni përditë atje, por deri në vila e hotele në Rugovë, ku shkoni me xhipa që ua bleu populli i ngratë për me ia krye punët, e ju po shaheni, po fëlliqni sa po muni. Nëse nuk kemi ditë me u sha, na keni mësua sa jeni në pushtet. Tash edhe shamja ma nuk asht temë tabu. Tabu e keni ba temën e punës. Tash edhe për shamje duhet më ju pagua. Në historinë e politikës dhe të shtetit, mund të krenoheni se nji përqindje të rrogës e keni marrë edhe për shamje. Shani sa të muni se edhe shmja iu paguhet, e ne, populli, me duar në xhepa të thatë presim çka po bani për ne.
Hipni atit burra e kaloni kah kalon vija. Dilni e ngulni gurët dhe bani be se e kini mirë. Mbushe kryeministër një strajcë dhè e heq vijës kah e caktoi komisioni i shtetit. Ban be pasha fëmi e pasha familje, pasha nder e pasha ardhmëni se këtu asht kufiri dhe merre me qafë këtë dhè. Nëse nuk e dini ju partiakë e kryepartiakë çka asht dheu me qafë po ju tregoj unë nëse muaj me avytë këtë punë. Kur ndaheshin tokat ose kontestoheshin megjat, si u themi ne, ku fjalët nuk bajshin punë, atij që nuk pajtohej i thojke pala kundërshtare. Merre strajcën mbushe dhe të kësaj toke që po dahet dhe hec caktoje kah i bjen vija e ndamjes. Dhe kjo ishte fjala e fundit. Po kur atij që ka marrë dhe me qafë, që do të thotë ka da drejtësi me të kajshme, kur i ndodhte ndonjë fatkeqësi në familje, dëshmitarët folshin: Zoti i nimoftë se ka marrë dhe me qafë. Dilni edhe ju, merrni dhè me qafë dhe folni para historisë, para zotit e para popullit ta dimë se filan fisteku ra kësaj vije me dheun e tokës sonw në qafë dhe këtu asht fundi i tokës së Kosovës. Por sa be e sa rrena i kini ba ju me ardh e me mbet në pushtet as malet nuk kanë dushk e bar. Ju nuk tutni as para zotit, as para popullit as para historisë pa ju kap për fyti. Po dilni! Hypni atit dhe thuni: qe ku asht guri!

Leave a comment

Your email address will not be published.


*