Sport

Dihen shtatë skuadrat çerekfinaliste të Digitalb Kupës së Kosovës

Sot janë zhvilluar ndeshjet e rrethit të katërt të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll, ku janë mësuar shtatë skuadrat çerekfinaliste, janë këto: Llapi, Drenica, Drita, Prishtina, Vëllaznimi, Gjilani dhe Vushtrria.

Finalisti i edicionit të kaluar, Llapi, ka shënuar fitore si mysafir në stadiumin “Riza Lushta” kundër kampionit në fuqi, Trepçës’89, me rezultat 2:0. Deri te fitorja llapjanët erdhën me dy gola në minutat e fundit të ndeshjes, kur fillimisht shënoi Mirlind Daku, në minutën e 86-të nga penalltia, e më pas Ilir Blakçori, në minutën e 89-të.

Fitore të vështirë ka realizuar Gjilani si mysafir i Ballkanit, ku golin e fitores e ka realizuar Pleurat Hajdini, në minutën e 120-të, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll pa gola, 0:0.

Një gol për kualifikim në çerekfinale i ka mjaftuar edhe Dritës, e cila e ka mposhtur Istogun, me golin e shënuar nga Haxhi Neziraj, në minutën e 15-të. Ndërkohë, Vushtrria e ka eliminuar Lirinë, pas ekzekutimit të penalltive, 6:5, ngase ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve ka përfunduar 1:1.

Në anën tjetër, Prishtina dhe Drenica kanë kaluar pa vështirësi pengesat e tyre në këtë rreth. Prishtina e ka mposhtur rivalin e qytetit, Kosovën (P), me rezultat 5:0, derisa Drenica u tregua e pamëshirshme ndaj Arbërisë, 7:1.

Kalimin në çerekfinale e ka siguruar edhe Vëllaznimi, që e ka mposhtur Rahovecin, me rezultat 1:0.

Të rikujtojmë se tërheqja e shortit për çerekfinale do të bëhet të premten, në orën 14:00, në selinë e FFK-së.

Rezultatet
Prishtina – Kosova (P) 5:0
Trepça’89 – Llapi 0:2
Drenica – Arbëria 7:1
Istogu – Drita 0:1
Vëllaznimi – Rahoveci 3:1
Ballkani – Gjilani 0:1 (pas vazhdimeve)
Vushtrria – Liria 1:1 (6:5 pas penalltive) /Kosova.info/

Komentoni