Shëndetësia

Diabeti po kthehet në pandemi

Diabeti është një sëmundje kronike që karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak, si pasojë e çrregullimit të prodhimit të insulinës në organizëm. Sot, shënohet dita botërore e kësaj sëmundje.

Kosova, megjithatë, ende nuk ka statistika të sakta se sa njerëz vuajnë nga diabeti.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë thuhet se diabeti po kthehet në pandemi globale (sëmundje që prek të gjitha shtetet e botës), dhe përllogaritet se rreth 5 për qind e popullsisë së botës i prek kjo sëmundje.

Lum Qahili është 24-vjeçar. Ai thotë se rreth moshës 18-vjeçare është diagnostikuar me sëmundjen e diabetit.

“Në vitin 2012 e kam kuptuar se vuaj nga diabeti. Pasi kam përfunduar shkollën e mesme. Sa i përket sigurimit të insulinës që e përdori për trajtim, kam vështirësi pasi është vështirë të sigurohet”.

“Të jesh i diagnostikuar si i ri me diabet në Kosovë është pak e vështirë, pasi ushqimi që e përdorim është më i rëndë. Por, nëse ke mundësi të përdorësh ushqim të shëndetshëm, ashtu si edhe kërkon kjo sëmundje, atëherë ka shumë rëndësi edhe në mbajtjen në kontroll të sëmundjes”, tha Qahili.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik thotë se në Kosovë, ndonëse nuk ka statistika të sakta, janë raportuar 12 mijë e 500 raste me diabet në vitin 2016.

“Prej rasteve të përgjithshme të raportuara, 7.225 prej tyre ishin femra ose 57 për qind dhe 5.305 meshkuj, ose 42.3 për qind. Prevalenca e diabetit insulinë-vartës është 26.9 në 1.000 banorë ose 95 për qind më e lartë te femrat krahasuar me meshkujt”.

“Diabeti radhitet në sëmundjet sociale mjekësore, që shkaktojnë probleme serioze si në aspektin shëndetësorë edhe në atë socio-ekonomik, dhe ka kosto të lartë shëndetësore, dhe po që se nuk zbulohet me kohë, shkakton shumë komplikime si verbim, sëmundje kardiovaskulare, sëmundje të veshkave, amputime të këmbëve etj. Gjithashtu kjo sëmundje rritë koston e jetesës deri në 25 për qind”, tha Ramadani.

Ndërkaq, udhëheqësja e zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Ardita Tahiruakaj, tha se është shumë e rëndësishme që qeveritë e vendeve të hartojnë politika dhe të zbatojnë ato, që të nxisin dhe të promovojnë mënyrë të shëndetshme jetese, përfshirë edhe aktivitetet fizike, në mënyrë që sëmundja e diabetit të parandalohet.

“Gjithashtu duhet të hyjë diagnostikimi dhe trajtimi i diabetit në agjendën e qeverive, në mënyrë që njerëzit me diabet të kenë një qasje të barabartë dhe të përballueshme në ilaçet esenciale dhe në teknologjinë në edukim dhe vet menaxhim për informimin e nevojshëm për trajtimin e diabetit”, tha Tahirukaj.

Sidoqoftë, trajtimi i diabetit tashmë është i mundshëm, por tërhiqet vërejtja se ende ka nevojë për një edukim më të mirë të popullatës për të parandaluar sa më tepër këtë çrregullim në organizimin e njeriut.

Komentoni