Rajoni

Dhoma e Tregtisë Shqipëri-Serbi do t’i ketë zyrat në Tiranë

Dhomat e Tregtisë midis Shqipërisë dhe Serbisë do t’i ketë zyrat në Tiranë.

Lajmin e bën me dije agjencia serbe e lajmeve B92, sipas të cilës Dhoma do të fillojë të funksionojë zyrtarisht në Tiranë pas datës 14 tetor kur edhe do të zhvillohet në Nish takimi midis kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiç, transmeton oranews.

Sipas agjencisë tjetër serbe, Beta, kreu i Dhomës Serbe të Tregtisë, Marko Cadez ka zhvilluar një takim me Ramën në Tiranë si pjesë e përgatitjeve për të organizuar forumin Serbi-Shqipëri.

Krijimi i shoqatës së përbashkët është iniciuar nga biznesmenë të Serbisë si dhe është mbështetur nga Dhoma e Tregtisë së Shqipërisë, Dhoma e Tregtisë së Tiranës, si dhe shoqatave të tjera të biznesit në Shqipëri.

Cadez deklaroi se do të diskutohej në të gjitha fushat me komunitetin e biznesit, ndërsa theksoi se “në bisedën tonë me kryeministrin Edi Rama, kemi dhënë konsiderata të veçanta për mundësinë e investimeve në agrobiznes dhe turizëm”.

Ai deklaroi se ndërtimi i autostradës nga Nishi për në Merdar dhe që lidhet me Rrugën e Kombit është një mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare si dhe për konsorciumin midis kompanive serbe dhe shqiptare.

Ai shtoi se ky është qëllimi i Forumit të Investimeve dhe se Dhoma do të jetë si një platformë rajonale e themeluar në kuadër të procesit të Berlinit, aktivitetet e të cilës do të paraqiten nga kryeministri Rama bashkë me kryetarin e Dhomës së Tregtisë së Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Cadez tha se në këtë forum përfshihen tetë dhoma tregtie që grumbullojnë rreth 300 mijë kompani.

“Ky është një potencial i madh për të shfrytëzuar kapacitetet e kompanive tona”, tha ai, duke shtuar se kjo do të ndikojë për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë, Cadez dhe Gerxhaliu do të udhëtojnë për në Mal të Zi për të paraqitur rezultatet e deritanishme të planit të Forumit të Investimeve kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç.

Komentoni