KosovaToplajm

Dështimi sindikal

Sheshet e Prishtinës nuk kanë përjetuar pas luftës dridhje nga marshet e punëtorëve e as politika nuk është trazuar nga ndonjë zë sindikal. Heshtja është pasojë e një lufte brendasindikale për pozita. Ndodh kështu, ndonëse të drejtat e punëtorëve në Kosovë vazhdojnë të mos respektohen nga punëmarrësit.

Mungesa e sigurisë në punë për çdo vit merr dhjetëra jetë. Po kështu, pasoja në shëndet lë kjo mungesë sigurie e edhe kushtet jashtë çdo standardi, në të cilat punohet. Në anën tjetër, fare pak realizohen të drejtat nga marrëdhënia kontraktuale dhe, në këtë fushë, më së keqi janë duke e pësuar “armata” e sektorit privat. Shteti, ndërkaq, nuk u garanton drejtësi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Të sfidosh shkeljet, është e vështirë në Kosovë. Në njërën anë, papunësia e madhe në vend i detyron punëkërkuesit që të punojnë edhe nën kushtet minimale të përcaktuara me ligj. Në anën tjetër, në shumë raste, ankesat individuale u kthehen bumerang punëtorëve, meqë shefat dinë t’u hakmerren.

E mekanizmat që do të duhej të reagonin në të tilla situata, në të shumtën e rasteve qëndrojnë të heshtur. Prej vitesh, nuk ka një zë të fuqishëm sindikal. Madje, ka ankesa se sindikatat shpesh bëhen pengesë kur ka iniciativa për t’i bërë pushtetit ndonjë presion për të realizuar ndonjë të drejtë të punëtorëve.

Komentoni