Kosova

Deputeti Tahiri jep sqarime për hetimin ndaj tij

Agjencia Kundër Korrupsionit kishte filluar që një kohë hetimin ndaj deputetit të Kuvendit të Republikës, Labinot Tahirit me dyshimin për konflikt interesi.

Sipas këtij institucioni, deputeti i AKR-së është vërejtur se figuron si person i autorizuar në dy biznese private;  “ICON#S” sh.p.k dhe N.T.Sh. “Erzana”.

Madje, AKK ka kërkuar nga Tahiri që të heq dorë nga njëra prej pozitave që mban aktualisht.

“Duke hequr dorë nga përgjegjësitë dhe të drejtat e funksionit si person i autorizuar në bizneset private janë krijuar rrethana të reja dhe është shmangur gjendja e mundshme e konfliktit të interesit dhe papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Mirëpo, lidhur me këtë çështje ka reaguar deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri. Ai ka thënë se pasuria e tij është e shkruar sipas Ligjit.

Labi thotë se ai ka qenë ortak me një person tjetër në bizneset në fjalë. Por tani të njëjtit nuk i figuron emri në Agjencinë përkatëse.

“Deklarata e ime për pasurinë është pra ashtu siç e thotë Ligji që s’kam të drejtë me qenë pronarë i ndonjë biznesi. Megjithatë, ai ka figuruar qysh më herët nuk e di pse nuk e ka përmbyllur kontabilisti kur e kanë pasur kafiterinë. Tashmë nuk jam unë pronarë i asaj , nuk qarkullon ai vend që është në pronësi time. Unë kam qenë ortak me dikën tjetër  por ortaku nuk e ka hekur. Unë s’kam pasur kohë me u marrë me ato gjëra veç që kam parë se figuron emri im. Pra, çka është e shkruar te Agjencia Kundër Korrupsionit ato figurojnë për momentin”, është shprehur Tahiri për “Indeksonline”.

Ndryshe, AKK-ja ka paralajmëruar se rasti mund të hapet në çdo kohë nëse paraqiten rrethana të reja.

Komentoni