Kosova

Dënohet me 7 vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykata Themelore e Ferizajt, ka dënuar të pandehurin M.S. lidhur me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes së ryshfetit me shtatë vjet burgim

Trupi gjykues i shqiptoi dënimin e përgjithshëm prej shtatë (7) vjet burgim si dhe ia ndaloi të pandehurit mbajtjen e ndonjë pozite zyrtare për një periudhë prej pesë vjetëve pas lirimit. Në kohën e kryerjes së veprave penale i pandehuri ishte i punësuar në Policinë e Kosovës dhe mbante gradën e togerit. Përveç kësaj, trupi gjykues e urdhëroi të pandehurin t’ua kthejë palëve të dëmtuara paratë e marra në mënyrë të paligjshme nga ata.

Trupi gjykues e shfajësoi të pandehurin, M.S. nga një pikë e aktakuzës lidhur me mos-pagesën e obligueshme të taksave doganore, nga një pikë për ofrimin e ndihmës për kryesit pas kryerjes së veprës penale dhe nga një pikë për posedimin e paautorizuar të armëve të zjarrit.

Trupi gjykues e shfajësoi të bashkë-akuzuarin, V.T. nga vepra penale e mos-pagesës së obligueshme të taksave doganore.

Në fillim ishin shtatë të pandehur në këtë rast. Të pandehurit, B.S., R.A. dhe B.V. e pranuan fajësinë për veprat penale përfshirë keqpërdorimin e pozitës zyrtare, marrjen e ryshfetit, ushtrimin e ndikimin, zhvatjen, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm dhe posedimin e paautorizuar të armëve të zjarrit. Trupi gjykues atyre u shqiptoi dënime me burg dhe dënime financiare. Të pandehurit, S.M. dhe A.M. kanë ikur dhe ndodhen në arrati. Trupi gjykues ka nxjerrë fletë-rreshtim në vend dhe ndërkombëtar për arrestimin e tyre.

Rasti është ndjekur penalisht nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së. Të gjitha palët kanë të drejtë ankese.

Komentoni