Kosova

Dënohen të akuzuarit për skema piramidale, bixhoz të paligjshëm, detyrim dhe fajde

Gjykata Themelore e Prizrenit të hënën ka njoftuar se ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj të akuzuarve në rastin “Kristal”, me ç’rast pjesa dërrmuese e tyre janë shpallur fajtorë për kryerjen e veprave të ndryshme penale, derisa dy prej tyre janë liruar nga akuza për veprën penale – organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Në komunikatën për media kjo gjykatë ka bërë të ditur se të akuzuarit në këtë rast janë dënuar me afër 15 vjet burg, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në këto dënime do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga të akuzuarit, masa këto të sigurisë që ishin caktuar gjatë procedurës penale ndaj të përfshirëve në këtë rast.

“I akuzuari me iniciale T.K. nga Prizreni, për shkak të veprës penale, organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, si bashkëkryerës, i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 2 vjet e 3 muaj”, shkruan në komunikatën e Gjykatës Themelore të Prizrenit. Aty theksohet se ndaj të akuzuarit me iniciale K.K. nga Prizreni, për veprën penale fajdeja shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjet, si dhe për veprën penale armëmbajtje pa leje i shqiptohet dënimi me gjobë në shumën prej 1.500 eurosh.

Komentoni