Sport

Dënime “shembullore” për dyshen Kyrgios-Fognini

Pa u mbyllur mirë historia e gjobës dhe ndëshkimit të numrit 21 të botës Nick Kyrgios nga drejtuesit e Federatës ATP, për tërheqjen nga takimi me Steve Johnson, bordi më i lartë i turneve Grand Slam merr masa duke shkualifikuar 30-vjecarin italian Fabio Fognini. Të dy tenistët në fakt njihen për temperamentin dhe sjelljen e tyre problematike në fushë, sidoqoftë fillimisht ishte tenisti australian që për tërheqjen përpara kohe dhe lënien përgjysmë të ndeshjes me amerikanin Steve Johnson u gjobit me 10.000 $ për sjelljen e tij antisportive. Tenisti me origjinë greke u privua gjithashtu nga organizatorët edhe nga ceku i majmë prej 21.000 $, pasi nuk u paraqit përpara mjekëve të specializuar, për të vërtetuar problemet në stomak dhe shpinë, me të cilat Kyrgios justifikoi tërheqjen e tij nga Mastersi i Shangait.

Në krahun tjetër Fabio Fognini duhet të paguajë akoma më shumë, më saktë plot 96.000 $ për shkak të ofendimeve tepër të rënda të lëshuara në US Open, ndaj gjyqtares suedeze Louise Engzelle. Në Flushing Meadoës, për fjalorin e tij sa të pakontrolluar aq edhe ofensiv, tenisti nga Sanremo u gjobit fillimisht me 24.000 $, episod i regjistruar që në fundin e muajit gusht gjatë takimit me numrin 125 të botës Stefano Travaglia, në turin e parë, ndeshje ku tenisti tjetër italian e nxori Fognini-n me 0 në setin e fundit, duke e eliminuar në mënyrë të habitshme bashkëkombësin e tij në vetëm katër sete. Aktualisht numri 28 i botës, Fabio Fognini u pezullua edhe nga Slemi Njujorkez, por gjithsesi tenisti italian do të mbahet gjithashtu nën vëzhgim të rreptë dhe duhet të bëjë kujdes në dy turnetë e ardhshëm të Grand Slam-it, për të mos krijuar as incidentin më të vogël, nëse kërkon që ndëshkimi i tij të reduktohet.

Në një deklaratë të Bordit Drejtues shkruhet që Fabio Fognini e pranon vendimin dhe nuk do të apelojë kundër tij. Tenisti italian shprehu keqardhje për sjelljen e tij dhe premtoi gjithashtu se do të bëj çmos për të përmbushur të gjitha kushtet dhe kërkesat, për të reduktuar kështu shumën e madhe të gjobës, e njëkohësisht me qëllimin dhe dëshirën për të pastruar veten edhe nga pezullimi për turnetë e tjerë të Grand Slam-it. Gjoba shembullore prej 96.000 dollarësh do të përgjysmohet dhe Fognini nuk do të pezullohet nga pjesëmarrja në US Open, nëse tenisti italian do të sillet mirë dhe nuk do të kryejë asnjë shkelje, për një periudhë gjithsesi të pacaktuar kohe. Tenisti nga Sanremo është martuar me bashkëkombësen Flavia Pennetta dhe mesa duket gjyqtarja suedeze është shndërruar në një problem familjar, pasi kurioz është fakti që edhe bashkëshortja e tij ka patur një incident të ngjashëm, për më tepër pikërisht me Louise Engzell, episod i regjistruar tetë vjet më parë gjatë përballjes me tenisten franceze Amelie Mauresmo.

Komentoni