Kosova

Demolli: Të përkushtuar për proces transparent të transformimit të FSK

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), Haki Demolli priti në një takim zyrtar përfaqësuesit e Komitetit të Senatit Amerikan për Shërbimet e Armatosura(Senate Armed Services Committee (SASC), në përbërje: Tom Goffus i cili mbulon një fushë të gjerë për Komitetin e Senatit për Shërbimet e Armatosura (KSShA) duke përfshirë Afganistanin, Pakistanin, Azinë Qendrore, Evropën, Rusinë dhe Lindjen e Mesme, Katie Wheelbarger, drejtor i Shumicës së Politikave dhe Këshilltare për KSShA ( Fokusi i saj është shpesh në çështje të mëdha në luftimin e terrorizmit), Dustin Walker, drejtor i Shumicës në KSShA dhe Mariah McNamara, nën punës për pakica, mbulon një fushë të gjerë të çështjeve duke përfshirë: bashkëpunimin e sigurisë, Komandën Amerikane për Evropë(EUCOM), NATO-n, Komandën Amerikane të Jugut(SOUTHCOM) si dhe Asistencës Humanitare.

Në fillim, ministri i FSK-së, Haki Demolli i shprehu përkushtimin e Ministrisë dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës për sigurinë dhe stabilitetin në vendin tonë si dhe stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë duke u shprehur se: ,,Ne jemi të gatshëm për të kontribuar për paqen dhe për të mbështetur NATO-n në ruajtjen e paqes në rajon’’.

Më tej, ministri Haki Demolli e njoftoj delegacionin e Komitetit të Senatit Amerikan për Shërbime të Armatosura mbi zhvillimet në fushën e sigurisë në vend si dhe kërcënimet me të cilat është duke u ballafaquar Republika e Kosovës, duke përmendur: terrorizmin global, krizën e refugjatëve nga Siria si dhe kërcënimi i tretë e që është kualifikuar papunësia në vend.
 
Me këtë rast, ministri Demolli tha se institucionet e shtetit kanë qenë dhe janë të angazhuara në luftën kundër terrorizmit dhe pikërisht falë angazhimit të Qeverisë së vendit janë arritur rezultate të mira në këtë drejtim, duke përmendur statistika si dhe të dhëna konkrete që janë marrë në drejtim të parandalimit të pjesëmarrjes së të rinjve nga Kosova në luftërat e huaja si dhe dënimin e atyre që organizojnë apo edhe marrin pjesë aktivisht.
 
Ministri Demolli në vazhdim u fokusua tek bashkëpunimi ndërkombëtar i MFSK-së me shumë vende anëtare të NATO-s, shtetet evropiane si dhe vende të rajonit. Ai tha se: ,,Ne kemi marrëveshje zyrtare bashkëpunimi me shumë vende mike dhe të gjithë i çmojmë për bashkëpunimin e shkëlqyer por partner i yni strategjik mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) përkatësisht Garda Kombëtare e Ajovës’’.
 
Ministri i FSK-së, Haki Demolli me këtë rast përmendi aktivitetet e bashkëpunimit me Ajovën, duke theksuar se për 12 muaj kemi pasur rreth 50 aktivitete dhe shkëmbime të përbashkëta, ku përfitues kryesor ka qenë Ministria për FSK dhe FSK-ja.
 
Në takim me Komitetin e Senatit amerikan, ministri Demolli e njoftoi delegacionin mbi misionin detyrat dhe zhvillimin e FSK-së, ndërsa më tej e vuri theksin tek përgatitjet dhe planifikimet për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Ministri Demolli tha se jemi përkushtuar për procesin, transparent, të transformimit dhe se kemi marrë të gjithë hapat e nevojshëm ligjor dhe procedural dhe se aktualisht jemi në fazën e pritjes së vendimit politik që do të merret nga institucionet më të larta të vendit.
 
Në fund të fjalës së tij, ministri Demolli tha se Kosova ka qëllim të transformojë Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, Forcë e cila do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit si dhe forcë multietnike si dhe forcë e cila nuk do të paraqet kërcënim për asnjë vend, e ndërtuar me standarde të NATO-s, duke përsëritu qëllimin e Republikës së Kosovës për integrim në Bashkimin evropian dhe anëtarësimin në NATO dhe iniciativa tjera rajonale dhe më gjerë.
 
Nga ana e tij, kryesuesi i delegacionit të Komitetit të Senatit Amerikan për Shërbime të Armatosura, Tom Goffus tha se Shtetet e bashkuara të Amerikës janë të interesuar për sigurinë, stabilitetin e Kosovës dhe për stabilitetin e rajonit të Ballkanit, duke ditur që stabiliteti i Kosovës varet edhe nga stabiliteti në rajon.
 
Sa i përket çështjes së transformimit të FSK-së në FAK, Tom Goffus tha se: ,,Sa më transparent të jeni aq më të besueshëm do të jeni’’. Më tej zotëri Goffus u interesua mbi disa çështje operacionale si nivelin e nderveprueshmërisë me institucionet tjera të sigurisë në Kosovë.
 
Në fund të fjalës së tij, kryesuesi i Komitetit të Senatit Amerikan për Shërbime të Armatosura, Tom Goffus ri konfirmoi se siguria dhe paqja në Kosovë janë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara.
 
Gjatë takimit drejtori i Drejtorisë për Operacione, gjeneral brigade Zymer Halimi e njoftoj delegacionin amerikan mbi ushtrimet dhe stërvitjet që i zhvillon FSK-ja në bashkëpunim me institucionet tjera të sigurisë dhe emergjencave në vend duke theksuar se FSK-ja ka qenë dhe është shumë e interesuar për testimin e veprimit ndërveprues gjatë reagimit në rast fatkeqësish dhe emergjencave tjera dhe për këtë qëllim çdo here ka ftuar dhe fton institucionet për stërvitje dhe ushtrime.
 
Në takim ishin të pranishëm edhe Zëvendës ministri Muhamet Latifi, drejtori i Drejtorisë për Operacione, gjeneral brigade Zymer Halimi, Atasheu ushtarak pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kolonel Chud Butts dhe shefi i Kabinetit të ministrit, Latif leku. /KI/

Komentoni