Lajme

Demolli: Shqipëria ka ndihmuar vazhdimisht FSK-në

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(FSK), z. Haki Demolli priti sot, në një takim zyrtar ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, z. Qemal Minxhozi i cili shoqërohej nga kolonel Ahmet Leka, atasheu ushtarak i mbrojtjes i akredituar për Kosovë. 

Ministri Demolli me këtë rast, falënderoi ambasadorin Minxhozi si dhe përmes tij, Qeverinë e Shqipërisë dhe Ministrin e Mbrojtjes për ndihmën e vazhdueshme që Shqipëria dhe Ministria e Mbrojtjes po japin për FSK-në, dhe në veçanti falënderoi ministren Mimi Kodheli për përkrahjen e saj, në të gjitha aktivitet regjionale dhe ato ndërkombëtare, që po bënë për Ministrinë e FSK-së dhe FSK-në. 

Ministri Demolli përshëndeti dhe i uroi detyrën e re, atasheut ushtarak të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, kolonel Ahmet Leka, duke i shprehur besimin për bashkëpunim të dyanshëm të suksesshëm në të ardhmen. 

Ministri Demolli dhe ambasadori i Shqipërisë z. Minxhozi, biseduan edhe rreth intensifikimit të bashkëpunimit në të ardhmen, në përkrahjen profesionale të FSK-së, si dhe angazhimin e shtetit shqiptar për pranimin e FSK-së, në organizmat ndërkombëtarë të sigurisë. 

Nga ana e tij, ambasadori i Shqipërisë z. Minxhozi falënderoi ministrin Demolli për pritjen, si dhe rikonfirmoi edhe një herë vazhdimin e bashkëpunimit në të ardhmen në mes dy shteteve dhe dy ministrive. Ai u shpreh se Shqipëria do të vazhdojë që ta mbështes Ministrinë e FSK-së dhe FSK-në, në rrugën e saj të zhvillimit profesional dhe inkuadrimit të saj në mekanizmat ndërkombëtarë të Sigurisë.  Kolonel Ahmet leka, atashe i ri i akredituar në Republikën e Kosovës u shpreh më se i lumtur që është emëruar atashe në Republikën e Kosovës. Ai falënderoi ministrin Demolli si dhe stafin udhëheqës të MFSK-së dhe FSK-së dhe u shpreh për bashkëpunim të shkëlqyer si dhe përkrahjen që do ta ketë gjatë punës dhe qëndrimit të tij në Kosovë.  /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*