Kosova

Demolli priti përfaqësues të NATO-s

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës (FSK), z. Haki Demolli, priti sot, në një takim zëvendës asistentin për operacione të Sekretarit gjeneral të NATO-s, z. John Manza, i cili shoqërohej nga drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për Ministrinë dhe FSK-në(NALT), gjeneral brigade Dietmar Mosmann, zëvendës drejtori i ekipit të NALT-it, Dominic Braithwaite dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Fillimisht, ministri i FSK-së, z. Haki Demolli e njoftoi delegacionin e NATO-s, për punën dhe angazhimin e shkëlqyer të NALT-it në MFSK dhe FSK, e gjithashtu edhe për punën dhe koordinimin e shkëlqyer edhe me dy mekanizmat pararendës të tyre, si; NAT dhe NLAT.

Ministri Demolli, me këtë rast, tha se; këshillimi dhe koordinimi me mekanizmat e NATO-s na ndihmon dhe lehtëson zhvillimin, avancimin e FSK-së me standarde që do të mundësojnë ndërveprueshmëri si dhe do të përgatis institucionet tona të sigurisë për anëtarësim në mekanizma; iniciativa rajonale dhe globale, dhe përfundimisht në Aleancën Veri-Atlantike, synim ky shumë i vendosur i Republikës së Kosovës.

Ndërsa për procesin e transformimit të FSK-së, në Forca të Armatosura të Kosovës, ministri Demolli, tha: „në vazhdimësi i kemi njoftuar të gjithë akterët, i kemi caktuar elementet kryesore të transformimit, fazat si dhe kemi përgatitur amendamentet dhe pakon e ligjeve“, dhe i tërë procesi, do të jetë transparent për institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, duke garantuar që Kosova është e vendosur në ndërtimin e një Force, që do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, si dhe Forcë, që do të kontribuojë për paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë.

Për sukseset e përgjithshme të FSK-së; trajnimet, ushtrimet e përbashkëta ndërkombëtare, si dhe ftesat që Kosova ka marrë, për të marrë pjesë në ushtrimet e deritanishmeve edhe në ushtrimet ndërkombëtare, delegacionin e NATO-s, e njoftoi gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë për Operacione.

Nga ana e tij, zëvendës asistenti për Operacione i Sekretarit gjeneral të NATO-s, zoti John Manza përgëzoi ministrin Demolli, për të arriturat si dhe zhvillimin e FSK-së. Ai konfirmoj se NATO, me vëmendje po përcjell zhvillimin e FSK-së, sektorin e Sigurisë, dhe gjithashtu është duke shqyrtuar letrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ku së shpejti do të del me një përgjigje.

Kurse, sa i përket pjesëmarrjes së FSK-së, në ushtrimet fushore të përbashkëta ndërkombëtare, si dhe shkollimeve dhe trajnimeve, z. Manza, tha se; strategjia juaj që përmes pjesëmarrjes në operacione stërvitore të përbashkëta, si në Kosovë, ashtu edhe në vendet partnere, është strategji shumë e mirë, dhe garantoj në mbështetjen e strategjisë së FSK-së, që përmes stërvitjeve të përbashkëta me vendet e NATO-s, vendet partnere të dëshmojë për aftësitë e saja ndërvepruese.

Në takim morën pjesë drejtori i Drejtorisë së Operacioneve gjeneral brigade Zymer Halimi dhe shefi i kabinetit të ministrit Demolli, Latif Leka. /KI/

Komentoni