Lajme

Debat i ashpër në Parlament – kërkohet dorëheqja e Prokurores Speciale

Deputetët e partisë maqedonase në pushtet VMRO DPMNE gjatë debatit tri ditësh në komisionin për sistem politik në kuadër të parlamentit të Maqedonisë, gjatë prezantimit të prokurores speciale publike Katica Janeva për punën e saj gjashtë mujore, kanë theksuar se puna e saj “është shumë larg pritjeve”.

Ata thanë se “ajo nuk ka kapacitet për të realizuar detyrën për të cilën është zgjedhur” dhe e kritikuan prokuroren speciale “për anshmëri, duke punuar për interesat e partisë maqedonase në opozitë”. Gjithashtu deputetët e VMRO-DPMNE thanë se “ajo nuk është objektive”.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së Kërste Mukoski, ka kërkuar dorëheqjen e prokurores speciale Katica Janeva, me arsyetimin se po “tallet me institucionin më të lartë ligjvënës në vend duke punuar në favor të opozitës”.

“E dini se çka do të thotë pozita e Prokurores speciale publike? E shihni se sa shumë kamera televizive u janë drejtuar? Të gjithë presin nga ju që të zgjidhet kriza e jo që t’i ndihmoni opozitës të vijë në pushtet. Opozitën as Zoti nuk mund ta ndihmojë të vijë në pushtet” ,ka theksuar deputeti i VMRO DPMNE-së Kërste Mukoski.

Përderisa zonja Janeva shkurt u është përgjigjur deputetëve se Institucionit të Prokurorisë Speciale, në vazhdimësi i bëhet obstruksione nga gjykatat e vendit duke i bërë shumë pengesa në realizimin e detyrës për të cilën është përgjegjëse.

“U humbën më shumë se gjashtë muaj në labirintet gjyqësore. Kohë që duhej të përfundojë lënda “puç” ku do të bëhej shumë e qartë se kush ka përgjuar. Pyetem nëse parlamenti ka ndërmend të kërkojë përgjegjësi nga kryetarja e këshillit gjyqësor dhe se kush është fajtor për prolongimet e shumta që kanë të bëjnë me marrjen e dëshmive të kësaj lënde”, ka theksuar Katica Janeva Prokurore Speciale Publike e Maqedonisë.

Ajo tha se i janë “humbur tri ditë në vend që kohën ta shfrytëzojë për punë”.

Njohësit e çështjeve politike thonë se debati i ashpër i cili zhvillohet tanimë tri ditë në Parlamentin e Maqedonisë gjatë prezantimit të prokurores speciale publike për punën e saj gjashtë mujore, ka të bëjë me “goditje të ulëta nga ana e deputetëve të pushtetit” si rrjedhojë e frikës që kanë nga hetimet që zhvillon ky institucion dhe aspak s`kanë të bëjnë me analizën profesionale të punës së këtij institucioni.

“Mendoj se këta deputetë nuk përfaqësojnë atë që e kërkojnë qytetarët e Republikës së Maqedonisë prandaj prej gjithë këtij debati na servohet një cirk qëllimi final I të cilit është që të poshtërohet puna e zonjës Janeva duke e vendosur atë në një pozitë të pafavorshme duke krijuar para opinionit një pasqyrë se ajo nuk është serioze gjatë kryerjes së detyrës”, thekson Arsim Sinani komunikolog.

Nga ana tjetër avokati Zvonko Davitkoviq vlerëson se për tri ditë gjatë raportimit të zonjës Katica Janeva – prokure speciale Publike para deputetëve të parlamentit pothuajse nuk është dëgjuar asnjë pyetje lidhur me përmbajtjen e raportit që duhet ta mbrojë ajo.

“I shoh deputetët të cilët më shumë janë të interesuar për kapacitetin e saj profesional, përvojën dhe gjëra të këtilla. Harrojnë se pikërisht ata me votën e tyre e zgjodhën në krye të institucionit Prokurore Speciale Publike. Kishte më shumë propozime po në fund katër liderët e partive kryesore politike Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi thanë se Katica Janeva është si kuadër nga më të mirët për të realizuar këtë detyrë”, nënvizon avokati Zvonko Davitkoviq.

Debati në parlament për raportin gashtë mujor të punës së Prokurores speciale të Maqedonisë vazhdon. /rel/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*