Dan Kosumi: Ta mbajmë gjallë kulturën shqipe

Si Shoqatë e Krijuesve Shqiptarë, do të vazhdojmë të kërkojmë, evidentojmë dhe stimulojmë të rinj e të reja, që e duan letërsinë, artin, kanë talentin dhe dëshirën ta mbajnë...

Si Shoqatë e Krijuesve Shqiptarë, do të vazhdojmë të kërkojmë, evidentojmë dhe stimulojmë të rinj e të reja, që e duan letërsinë, artin, kanë talentin dhe dëshirën ta mbajnë gjallë kulturën shqipe në Diasporë, pasi që fenomeni i asimilimit është një brengë sa e madhe, po aq e dhimbshme për secilin nga ne, kështu ka deklaruar kryetari i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, Dan Kosumi.

Në një intervistë për Kosova Info. Kosumi ka theksuar se nëse gjykojmë realisht, edhe meritat edhe përgjegjësitë për fenomenin e asimilimit duhet  kërkuar tek ne, institucionet shtetërore, shoqatat e bashkësitë kulturore, lidhjeve të prindërve etj, të cilat realisht kanë ndikuar tek gjenerata e tretë  që është lindur, rritur e shkolluar në Zvicër.

“Është i pamohueshëm roli i organizmave që kanë patur tek ky brez, në mbajtjen gjallë të identitetit, atdhedashurisë dhe ruajtjes së gjuhës. Kështu, përmes organizimit të këshillave të prindërve, punës së pareshtur për gjetjen e formave të vetëfinancimit dhe organizimin e shkollës shqipe për fëmijët e tyre që ndjekin shkollimin në gjuhët e kantoneve në gjithë Zvicrën”, ka thënë Kosumi, duke shtuar se si Shoqatë jemi munduar që me aktivitetet e ndryshme kulturore, shënimin e datave dhe përvjetorëve të rëndësishme kombëtare, që ka organizuar komuniteti shqiptarë në Zvicër, e kemi ruajtur dhe mbajtur gjallë identitetin, kulturën e traditën tonë shqiptare.     

Kosova Info: Z. Kosumi, njiheni si poet, ndërsa tani mbani edhe postin e kryetarit të Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër. A mund të na jepni një përmbledhje të shkurtër, lidhur me qëllimin e kësaj Shoqate që ju kryesoni?

Dan Kosumi: Të jesh kryetar i një shoqate apo organizime nuk është privilegj, përkundrazi, është obligim dhe përgjegjësi. Përgjithësisht, nuk jam i prir të flas në vetën e parë, pasi, përherë, gjithçka që kam dashur ta them, e kam derdhur në vargjet e mia. Për t’iu kthyer pyetjes suaj, desha të jap një panoramë të shkurtër të jetës sime artistike e organizative, para se të vija në Zvicër. Rreth 20 vite kam jetuar në Austri, ku kam kontribuuar në organizimet e përbashkëta në të mirë të çështjes kombëtare, së fundi edhe me themelimin e Lidhjes së shkrimtarëve dhe krijuesve Shqiptarë “Aleksander Moisiu” në Vjenë. Aktualisht, jam në këshill nismëtar për themelimin e Lidhjes së Krijuesve të Mërgatës që në mandatin e parë dhe të dytë tani e katër vite, e drejtojnë krijuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar në Gjermani.

Këtu në Zvicër jam fillimisht anëtar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër që nga 2015-ta, deri në mbajtjen e Kuvendit të VI zgjedhor, ku paraqita një program pune dhe kandidaturën për të parin e ShKShZ-se, ku me shumicë votash të fshehta unë u zgjodha Kryetar i sajë.

Kjo shoqatë për herë të parë është themeluar në vitin 2011-të, në Avenches, Kantonin Vaud. Qëllimi parësor i ShKShZ është bashkimi i krijuesve, bazuar në vullnetin e tyre të lirë, e që kanë krijime, vepra në letërsi, art, krijimtari shkencore, vlera të tjera të pronësisë intelektuale etj.

Veprimtarinë e saj në bazë të statutit, ShKShZ e zhvillon në këto fusha: manifestime letrare, komunikim me dashamirët e krijuesve, stimulimin e krijimtarisë letrare, artistike, shkencore, kultivimin e krijimtarisë shqiptare dhe gjuhës sonë, afirmimin e saj dhe bashkëpunimin me shoqata të ndryshme simotra në Zvicër, e mbarë mërgatën ku veprojnë të organizuar bashkëkombësit tanë.

Kosova Info: Cilat janë sfidat dhe njëkohësisht sukseset e kësaj Shoqate në Zvicër?

Dan Kosumi: Që një Shoqatë krijuesish të funksionojë, duhet njohur nga afër gjithë krijimtarinë e anëtarëve të saj, njohjen me sa më shumë krijues të fushave të ndryshme të cilët jetojnë, punojnë dhe merren me krijimtari të ndryshme artistike. Gjetjen e rrugëve dhe mënyrave si të stimulojmë krijimtaritë më të mira, qofshin ato letrare, artistike apo shkencore.

Në status, ne kemi të përcaktuar qartë qëllimin për forcimin e bashkëpunimit me organet e qeverisjes vendore, përmes Qendrave Kulturore për realizimin e projekteve në interes të komunitetit të gjerë.

Bashkëpunimi me komunitete e qarqe të tjera letaro-kulturore-artistike, që punojnë dhe veprojnë në Zvicër, me qëllim të shkëmbimit të eksperiencave, zhvillimit të dialogut e diplomacisë kulturore.

Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes suaj, mendoj se është herët të flas për sukseset e Shoqatës kur ka fare pak kohë që unë kam ardhur në krye të saj, me një Kryesi komplet të rizgjedhur për herë të parë. Por, duke  u nisur nga programi im i punës si Kryetar dhe vullnetit për të sjellë frymë të re, unifikim të të gjithë krijuesve që veprojnë në Zvicër, kam besim se sukseset do jenë të shumëfishta.

Kosova Info: Kosumi, a mund të na përmendi aktivitetet e kësaj Shoqate, gjatë këtij viti?

Dan Kosumi: Përveç përurimit të veprave të reja letrare dhe studimore të anëtarëve krijues të SHKSHZ-së, dhe pjesëmarrjes në takimet e  LKSHM (Lidhjes se Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës) në Gjermani ku jemi prezantuar me prurje të reja, gjithashtu në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih, që udhëhiqet nga znj Shukrije Ramadani, kemi pritur dhe bërë përurimin e krijuesve nga Zvicra, Gjermania, Kosova e Shqipëria.

Gjithashtu kemi bashkëpunim të mirë edhe me UPSh – Universitetin Popullor  Shqiptar në Gjenevë, që udhëhiqet nga znj. Albana Krasniqi-Malaj, ku kemi bërë disa aktivitete të përbashkëta kulturore. Kemi po ashtu, bashkëpunim me Shoqëritë Kulturore Artistike, që veprojnë në Zvicër, e që nuk janë të pakta, por duhet bërë edhe më shumë që të koordinojmë aktivitetet tona në të ardhmen. Kemi qenë të ftuar nga shoqata “Trojet”, kryetari i saj Zeqir Gashi, ku unë në emrin e ShKShZ, kam bërë hapjen e ekspozitës, organizim i piktorit Arsim Berisha, ku me punimet e tyre u prezantuan 9 artistë profesionist dhe akademik nga Zvicra, Gjermania e Kosova.

Aktiviteti ynë në planin vjetor ka dy takime që i mban çdo vit edhe atë; “Pranvera Letrare”,  që mbahet në muajin Maj, ku të drejtë konkurrimi në orën e madhe letrare, kanë krijues nga Zvicra dhe mërgata, përurime librash dhe autoresh, si dhe takimet e fundvitit ku organizohet lexim letrar, ndahet “Pena e artë”, për krijuesin më të mirë, si dhe me konkurrim të fshehtë kanë të drejtë të gjithë krijuesit nga Zvicra dhe mërgata, përveç anëtarëve të Kryesisë së ShKShZ.

Kosova Info: Sa ka kontribuuar Ministria e Kulturës dhe ajo e Diasporës së Republikës së Kosovës në aktivitetet e Shoqatës?

Dan Kosumi: Deri tani nuk kemi patur asnjë bashkëpunim konkret, por shpresojmë që shumë shpejt të kemi një linjë të përbashkët, në të mirë të prezantimit të kulturës shqiptare në Zvicër. Duke qenë se kemi patur mungesa të dokumentacionit përkatës që kërkohet për aplikim, për subvencionim nga Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës, por edhe të Kulturës, ne nuk kemi patur të drejtë për mbështetje materiale këtë vit.

Më duhet të theksoj, se ShKShZ, edhe pse e themeluar qysh në vitin 2011, asnjëherë nuk ka qenë e regjistruar në regjistrin e shoqatave pranë shtetit Zviceran.

Me propozimin tim dhe miratimin e anëtarëve të Kryesisë kemi kompletuar dokumentacionin e duhur për të aplikuar që të pranohemi dhe regjistrohemi si shoqatë legale me të drejta të plota të ushtrimit të aktiviteteve tona dhe  të drejtën, që si OJF, të kemi të drejta në përkrahjen institucionale për subvencione dhe favore tjera, si në vendin ku jemi të regjistruar, po ashtu edhe nga shteti ynë amë.

Kosova Info: Në ç’shkallë janë përgatitjet e manifestimeve kulturore që do t’i mbani së shpejti, si Shoqatë e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër?

Dan Kosumi: Me datën 6 maj 2017, në Gjenevë, në bashkëorganizim me UPSh-Universitetin Popullor Shqiptar, do mbajmë një “Pasdite letrare” me shkrimtarin shqiptar Arber Ahmetaj, i cili gjatë vite jeton dhe krijon në Zvicër, mysafir do jetë violinisti Edmond Basha, i cili do ekzekutoj pjesë të veprave të muzikës klasike.

Ndërsa me datën 21 maj 2017, do kemi Manifestimin kulturor të ShKShZ-se, “PRANVERA LETRARE 2017” dhe po merremi me fazën e fundit përgatitore. Pjesë e këtij aktiviteti është “Ora e madhe letrare” ku të drejtë konkurrimi kanë të gjithë krijuesit e mërgatës, konkurrimi bëhet anonim “me shifër”, do vlerësohen nga një juri profesionale nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, që do përzgjidhet nga Kryesia. Do bëhen përurime të krijimtarisë dhe autoreve, si: Ajmone Sumaj Salihu, Nikollë Loka, Nazmi Rudari,  Mergim Osmani, Murat Ajvazi, Behide Hasanaj, Besnik Camaj dhe Shefqet Dibrani.

Për fituesit e konkursit letrar do ndahen edhe çmime. Këtë vit për herë të parë kemi themeluar “Çmimin e lartë”, për miq të letërsisë, të vlerësuar për prurje në letërsinë e artin bashkëkohor.

Kosova Info: A mendoni se Ministria e Diasporës është duke u angazhuar mjaftueshëm në ndihmë Diasporës për problematikat e nduarnduarta?

Dan Kosumi: Shikuar kontributin e Ministrit paraprak të Diasporës z. Ibrahim Makolli dhe angazhimin e tij që të jetë përherë afër mërgatës dhe aktiviteteve të organizuara nga LKShM (Lidhja e Krijuesve të Mërgatës), ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm.

Ky bashkëpunim me LKShM-në me ardhjen e ministrit Valon Murati, ministër i Diasporës, për arsye të panjohura, ka çaluar për një kohë të gjatë, ku tek strukturat udhëheqëse të LKSHM-së dhe Shoqatave, pjesë e sajë lidhjeve krijuese në mbarë mërgatën kanë shfaqur indinjatën dhe pakënaqësinë e arsyeshme.

Më vonë ky bashkëpunim me pastaj ka rinisur dhe është riaktivizuar. Shpresojmë që të vazhdohet kështu edhe në të ardhmen, që të mos na mungoj përkrahja institucionale shtetërore e Republikës së Kosovës dhe shtetit amë Shqipërisë, sepse në një formë jemi përfaqësuesit dhe ambasadorët e kulturës së shteteve nga vijmë.

Kosova Info: Cilat janë segmentet më të cilat kjo Ministri duhet të angazhohet më shumë?

Dan Kosumi: Thellimi dhe shtrirja e bashkëpunimit me Drejtoritë e Arsimit nëpër Kantonet e shtetit të Zvicrës, me Drejtoritë e sektorëve të pedagogjisë ndërkulturore pranë këtyre drejtorive arsimore. Bashkëpunimi i rregullt me Lidhjen e Arsimtareve e Prindërve Shqiptarë, që për më shumë se tri dekada janë organizatore dhe bartëse të organizimit të mësimit plotësues për fëmijët shqiptar në Zvicër, që prej hapjes së shkollës së parë shqipe.

Kosova Info: Sa po ndikojnë aktivitetet tuaja në ruajtjen e lidhjeve mes atdheut dhe mërgimtarëve, kur dihet që gjithnjë e më shumë gjeneratat e reja në mërgim po shkojnë drejt asimilimit?

Dan Kosumi: Aktivitetet e ndryshme kulturore, shënimi i datave dhe përvjetorëve të rëndësishme kombëtare, që ka organizuar komuniteti shqiptarë në Zvicër, e ka ruajtur dhe mbajtur gjallë identitetin, kulturën e traditën tonë shqiptare. Ne si Shoqatë e Krijuesve, do të vazhdojmë të kërkojmë, evidentojmë dhe stimulojmë të rinj e të reja, që e duan letërsinë, artin, kanë talentin dhe dëshirën ta mbajnë gjallë kulturën shqipe.

Kosova Info: A ekziston frika e asimilimit sidomos të gjeneratës së tretë të shqiptarëve në Zvicër?

Dan Kosumi: Patjetër që fenomeni i asimilimit është një brengë sa e madhe, po aq e dhimbshme për secilin nga ne. Mirëpo, nëse gjykojmë realisht, edhe meritat edhe përgjegjësitë duhet  kërkuar tek ne, institucionet shtetërore, shoqatat e bashkësitë kulturore, lidhjeve të prindërve etj, të cilat realisht kanë ndikuar tek gjenerata e tretë  që është lindur, rritur e shkolluar në Zvicër. Është i pamohueshëm roli i organizmave të lartpërmendura që kanë patur tek ky brez, në mbajtjen gjallë të identitetit, atdhedashurisë dhe ruajtjes së gjuhës. Kështu, përmes organizimit të këshillave të prindërve, punës së pareshtur për gjetjen e formave të vetëfinancimit dhe organizimin e shkollës shqipe për fëmijët e tyre që ndjekin shkollimin në gjuhët e kantoneve në gjithë Zvicrën. Pra, mësimit të shkrimit shqip, njohjen e historisë, kulturës dhe traditës, njohja me vlerat e vendit dhe prejardhjes së prindërve dhe stërgjyshërve të tyre të ardhur para shumë vitesh në Zvicër, të shtyrë nga gjendja e rëndë ekonomike-sociale, përndjekjet nga regjimi i atëhershëm jugosllav e më vonë ai serb. Shqetëson fakti, se në një konferencë për mësimin shqip, që është mbajtur në Dhjetor të 2016-të, në Cyrih, ku drejtori i sektorit për pedagogjinë ndërkulturorë i drejtorisë së arsimit për Kantonin e Cyrihut, tha se e habiste fakti pse numri i nxënësve shqiptar vazhdimisht po zvogëlohet, e që fajin kryesor për këtë ua hodhi prindërve që nuk po i dërgojnë fëmijët të mësojnë shqipen. Nga 11677 nxënës sa vijojnë mësimin e rregullt në shkollat zvicerane, vetëm 527 nxënës mësojnë shqipen në kantonin e Cyrihut, ndërsa 1788 nxënës vijojnë mësimin në gjithë Zvicrën. “Askush nuk e di pse kaq shumë kanë dashuri për vendin e tyre e shumë pak interesim për të mësuar shqipen” tha ai. Prezent ishin Nexhat Maloku kryetar i LAPSh (Lidhjes se Arsimtareve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër, ministri Valon Murati, si dhe dy ambasadorët e shtetit të Shqipërisë z. Ilir Gjoni dhe znj. Nazane Breca nga Kosova, të cilët kanë ofruar përkrahjen e tyre për ta ndihmuar shkollën shqipe.

Kosova Info: Sa po mundeni t’i bashkoni shqiptarët në këtë shtet, sidomos kur bëhet fjalë për ruajtjen e identitetit kulturor dhe kombëtar?

Dan Kosumi: Angazhimi ynë nuk do të mungojë asnjëherë si edhe më herët në gjetjen e formave për bashkimin e komuniteteve të ndryshme që veprojnë në forma të ndryshme organizative, kolektive dhe individuale. Përveç aktiviteteve dhe bashkëpunimit që përmendem më lartë me institucione e shoqata, gjithashtu jam përherë në bisedime të rregullta, që nga ardhja ime kryetar i ShKShZ-së edhe me Kryetarin e Shoqatës “Bashkimi i Intelektualëve Shqiptarë të Zvicrës”, z. Abas Fejzullahi, i cili është i gatshëm për bashkëpunim si dhe më krijues, artistë profilesh të ndryshme.

Kosova Info: Z. Kosumi, na flisni diçka për krijimtarinë tuaj letrare?

Dan Kosumi: Me shkrime kryesisht poezi, kam filluar qysh kur isha gjimnazist. Ishte koha e rizgjimit kombëtar të një pjesë të robëruar të Shqipërisë mbetur padrejtësisht brenda një shteti që ne kurrë se njohëm as e pranuam për të tonin. Ngjarjet që lanë gjurmë të pashlyeshme në mua ishin, lëvizja studentore, Revolucioni i 81-shës, arrestimet, burgosjet, persekutimet që çdo ditë i shihje në rrugë, në emisionet televizive, në gazetat e kohës, të gjitha këto ngjarje dramatike për popullin tim, familjen time, dhe për mua një të ri, bëri që asokohe të mësoja të rreshtohem, fillimisht përmes krijimtarisë poetike, shkruarjen dhe shpërndarjen e trakteve, thirrjen për çlirim …etj ….Jam përfaqësuar në Revistën Letrare Kulturore “PELEGRIN”, që botohet nga Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë, me seli në Athinë, në botimin “ILLYRICUM”, vëllim i Lidhjes së Krijuesve “Aleksandër Moisiu”, në Vjenë, pastaj në Antologjinë e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë në Gjermani, Lidhjes së Krijuesve të Mërgatës, si dhe në Antologji të tjera.

Përmbledhja poetike “…dhe vjen një ditë…” është libri im i parë, Prishtinë 2012. Librin e dytë me poezi “Malli i Dashurisë”, Tiranë 2016.

Kosova Info: Cilat janë planet tuaja si kryetar i krijuesve në Zvicër?

Dan Kosumi: E thashë pak më lart, që do të jemi në shërbim të mbrojtjes së të drejtës kulturore si komb. Aktivitetet dhe sjellja në Zvicër e autoreve të ndryshëm shqiptarë që jetojnë në të gjithë botën. Do të jetë puna jonë e përhershme, sepse ashtu e çojmë letërsinë në çdo vend, dhe marrim letërsi nga çdo cep i botës.

Kosova Info: Z. Kosumi, a mund të na tregoni për planet tuaja në fushën personale të krijimtarisë suaj si poet?

Dan Kosumi: Aktualisht, kam në proces punë në poezi, prozë, dhe publicistikë. Shpresoj që së shpejti, të dalë me ndonjë botim edhe pse nuk kam arsye të nxitoj. Të krijosh nuk është e lehtë dhe njeriu kërkon që çdo libër ta nxjerrë më të mirë se të parin. Kështu tentoj edhe unë, se sa ia arrij, është tjetër çështje. Lexuesi e jep vlerësimin në fund.

Intervistoi: Lumturije BEKAJ

Kategoritë
IntervistaKulturëToplajm
S'ka komente

Komentoni

*

*

Lajme të tjera