Lajme

Daja: Barazimi, çelësi për të kaluar në turin e tretë të Europa League

Së bashku me Skënderbeun i kanë munguar Korçës të paktën 10 ditë, ndërkohë që dje skuadra nën drejtimin e Ilir Dajës zbarkoi sërish në juglindje për të filluar përgatitjet anti-Kairat. Të gjithë janë dukur optimistë në lidhje me kualifikimin, por që sigurisht ajo që kërkohet me ngulm edhe nga drejtuesit është që futbollistët duhet të qëndrojnë me “këmbë në tokë”, pasi asgjë nuk ka përfunduar dhe janë edhe 90 minuta të tjera për t’u luajtur. Pas mbërritjes dje në Korçë, lojtarët nën drejtimin e stafit teknik kanë zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore, stërvitje, e cila duket se nuk ka qenë me ngarkesë maksimale edhe për shkak se të gjithë kanë qenë të lodhur, madje që nga Daja dhe deri te lojtari më i fundit. Një lodhje që erdhi pas 4.620 kilometrash udhëtimi, por që tashmë është sfumuar dhe radhën e kanë kazakistanasit, të cilët do të vijnë në Korçë të mërkurën tjetër dhe sigurisht që kjo do të ndikojë edhe te skuadra mike.

Daja Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja ka marrë komplimenta për rreshtimin në fushë që i bëri skuadrës dhe për mënyrën se si luajtën të tijët në përballjen e parë, ndërkohë që vetë kreu i stolit pasditen e djeshme përpara startit të seancës së parë stërvitore, ka zbuluar disa risi, madje edhe për ndeshjen e ardhshme, duke bërë të ditur që grupi nuk do të ndryshojë, por do të ndryshojë vetëm mënyra e lojës: “Së pari dua të them se pavarësisht se duhen akoma ditë deri të enjten e ardhshme, mund ta deklaroj qysh tani që grupi në atë përballje në Korçë nuk do të ndryshojë. Sigurisht që do të ndryshojë vetëm mënyra e të luajturit në fushë, pra ndonjë lëvizje e vogël, por kryesisht do të jemi si në Almati. Dua të them fjalët më të mira për malienin Bakary Nimaga, për atë super ndeshje që zhvilloi dhe i zbatoi absolutisht pikë për pikë të gjitha detyrat që i kisha caktuar. Sa për Takun që ishte një tjetër zgjedhje e re në fushë, për mua ishte një zgjedhje taktike që luajti nga starti. Tani është koha që të rikuperojmë skuadrën, pasi atij udhëtimi dhe lodhjeje vërtet të madhe. Por, është radha e Kairat për të “vuajtur” ashtu si ne në këtë “lojë” jashtë fushe.

Sa për kualifikimin duhet të them se është 50% me50% dhe padiskutim që duhet të kemi shumë kujdes në ndeshjen e kthimit të enjten e ardhshme. Pavarë- sisht kësaj nuk më shkon në mendjen që të mbrohemi më 20 korrik, pavarë- sisht se kemi shënuar një gol në fushën kundërshtare. Kairati nuk të fal nëse ne do të bënim gabim që të qëndronim në pritje. Unë personalisht besoj që do ja dalim, por duhet të punojmë shumë këto ditë deri të enjten, në mënyrë që te jemi 100% gati.” Këto fjalë ka thënë dje nga Korça Ilir Daja, duke treguar qartë që po përpiqet që të mbajë me “këmbë në tokë” të tijët, por edhe me besimin e madh që futbollistët nëse bëjnë Skënderbeun e vërtetë në fushë do të jenë ata që do të kalojnë në raundin tjetër. Skënderbeu ka shanse reale për kualifikim pasi ndeshja e parë përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1. Një gol në fushën kundërshtare është me tepër vlerë dhe korçarëve i mjafton dhe një barazim për të kaluar në turin e tretë të Europa League. /shekulli/

Leave a comment

Your email address will not be published.


*