Kosova

(D+): Partitë nuk publikojnë shpenzimet e fushatës së zgjedhjeve nacionale

Demokracia Plus (D+) ka bërë të ditur se asnjëra nga subjektet politike nuk i kanë të publikuara raportet e shpenzimeve nga fushata e fundit elektorale e zgjedhjeve nacionale në qershor të këtij viti.

“Raportet e shpenzimeve të rregullta të partive politike deri në vitin 2016 janë bërë publike nga AAK dhe LDK, përderisa Nisma dhe Vetëvendosje i kanë të publikuara vetëm deri në vitin 2015. Në anën tjetër, PDK nuk ka të publikuar asnjë raport të financave të saj në faqen zyrtare të partisë”, thuhet në komunikatë.

D+ u bën thirrje subjekteve politike që të publikojnë raportet e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve të fundit, si dhe raportet e rregullta financiare, pasi që transparenca financiare është e vetmja mënyrë për të kthyer besueshmërinë e qytetarëve te partitë politike.

Ndryshe, Demokracia Plus ka publikuar infografikën e radhës ku matet funksionalizimi, mirëmbajtja dhe azhurnimi i ueb faqeve zyrtare të subjekteve kryesore politike në Kosovë. Krahasuar me infografikën e para gjashtë muajve, vërehet një trend pozitiv në funksionalizimin e ueb faqeve të partive politike.

Komentoni