Kulturë

Çmimi “Hasan Prishtina” për vitin 2017, i ndahet gazetarit Marin Mema

Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, ka marrë vendim që Çmimin “Hasan Prishtina” për vitin 2017 ti ndaj gazetarit Marin Mema.

Sipas kryetarit te Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, z. Jahja Lluka, çmimi do të ndahet në një ceremoni të organizuar në Sheshin 21, me datë 25 nëntor, duke filluar nga ora 17:00. Në këtë ceremoni me pjesëmarrjen e tyre do të na nderoj edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj, si dhe shumë mysafir nga Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë dhe trojeve tjera shqiptare.

Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, me seli në Prishtinë, në mbledhjen e mbajtur më: 07.11. 2017, mori këtë: VENDIM Në mbështetje të Statutit të Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, dhe të rregullores për ndarjen e çmimit ”HASAN PRISHTINA”, çmimi më i lartë i Shoqatës për vitin 2017, do ti ndahet z.MARIN MEMA, gazetar.

ARSYETIM

Marin Mema, si gazetar i Televizionit Top-Channel, me emisionin e tij ”Gjurmë shqiptare” ka realizuar me sukses tema shumë të rëndësishme për historinë e Shqiptarëve në trojet e tyre shekullore. z. Mema, kaloi të gjitha pengesat e vëna nga regjimet e Shkupit, Athinës, Beogradit duke realizuar dhjetëra dokumentar mbi historinë shqiptare të Çamërisë, Maqedonisë dhe viseve shqiptare të mbetura nën Serbi.

Marin Mema është realizuesi një sërë dokumentarësh për shqiptarët në Sanxhakun e Serbisë, Gjurmët e historisë për zonat dhe fshatrat e shqiptarëve në Greqi (Çameri), Maqedoni, Sarajevë në Bosnje, Ulqini, Plava dhe Gucia, Reka, Dibra e madhe, komunitetet shqiptare ne ShBA, Itali, Greqi, Maqedoni, Mal të zi, Serbi, Turqi e me tej kanë qenë në fokus te dokumentarëve dhe reportazheve. Përmes tyre, Mema ka arritur që të ndihmoj në ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare, në ndalimin e asimilimit dhe ikjes së mëtejme të shqiptarëve nga trojet e robëruara dhe zbardhjen e historisë shpesh të dhimbshme por krenare të shqiptarëve në viset tona.

Marin Mema, ka arritur gjithashtu që të zbardhi dokumente nga arkiva të ndryshme për heronj e veprimtarë të ndryshëm shqiptar të kohëve të ndryshme. Motivet e fuqishme kombëtare, humane e fisnike të z. Mema, karakteri i tij fisnik dhe i pandalshëm përball pengesave nga shtetet fqinje, e bëjnë një prej figurave më të fuqishme në gazetarinë shqiptare sot. Duke u bazuar në të gjitha sa u cekën më lart, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, me seli në Prishtinë, z. MARIN MEMA, e ngrit në vendin më të lartë të mbrojtjes së historisë dhe vlerave tona kombëtare duke i ndarë çmimin ”HASAN PRISHTINA”. /Kosova.info/

Komentoni