Kosova

Çka thoshte ish-presidenti Rugova për kishën në kampusin e UP-së

Kisha ortodokse në qendër të Prishtinës, përkatësisht e ndërtuar në masa të dhunshme në hapësirat e Universitetit të Prishtinës, del se ishte kundërshtuar në vazhdimësi edhe nga vetë presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Adnan Merovci, një nga njerëzit dhe bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit të ndjerë, ka dëshmuar sot edhe njëherë se çfarë ishte mendimi i Rugovës për ndërtimin e Kishës Ortodokse.

Merovci ka sjellë në retrospektivë dy pjesë nga dy intervista të ndryshme që presidenti Rugova kishte pasur me një gazetarë. Ja edhe pjesët e publikuar nga Merovci, marrë nga libri i tij me titull “Në hap me Rugovën”, që sjell pyetje dhe përgjigje të presidentit Rugova nga viti 1992.

“Nuk do të lejojmë ndërtimin e një kishe në hapësirat universitare, aq më parë që kjo kishë nuk është konform nevojave të besimtarëve ortodoksë serbë”, kishte thënë Rugova në një intervistë të viteve të 90-ta.

Ndërkohë që kisha u ndërtua, gazetari i njëjtë e pyeti presidentin Rugova: “z.Rugova, kohë më parë patët deklaruar se s’do të lejoni ndërtimin e kishës në fjalë, derisa ajo u ndërtua. Çka do të thoni dhe veproni tani?”

Rugova, me buzëqeshjen e tij plot domethënie u përgjigj”

“Tani për tani nuk kemi mundësi për ta ndaluar ndërtimin e saj. Një ditë kur do të jemi në pushtet do të ndërtojmë një katedrale dhe një xhami të madhe në afërsi të saj”, kishte thënë Rugova.

Komentoni