KosovaToplajm

Çitaku: Serbia duhet të heqë dorë nga Kosova

Vlora Çitaku, Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  gjatë fjalimit të saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së OKB-së, ka thënë se Kosova po e jep maksimumin si shtet në ruajtjen e paqes në Rajon dhe se Serbia duhet të heqë dorë tashmë nga Kosova.

“Kosova është e gatshme të vazhdojë tutje, por Serbia duhet të heqë dorë nga Kosova. Serbia duhet të kthehet në të kaluarën dhe të reflektojë. Për shumicën e  fëmijëve që janë vrarë në Kosovë, kurrë askush nuk është gjykuar, edhe pse ka dëshmi se kush ishin kryesit e veprave”, ka thënë Çitaku në KS të OKB-së.

Sipas ambasadores Çitaku, takimet e Këshillit të Sigurimit ku po diskutohet për Kosovën, janë më shumë humbje kohe sesa të dobishme, për shkak se Kosova tashmë ka marrë udhën e shtet-bërjes.

“Kosova është një republikë e re që ballafaqohet me sfida, por s’duhet të ketë sfida si kjo, që të takohemi çdo tre muaj. Po e marrim kohën me çështje që nuk kanë shumë rëndësi, kjo kohë mund të përdoret për diçka më të mirë”.

“Kemi problemin me refugjatët, ka miliona gra që i janë nënshtruar dhunës seksuale, ka fëmijë që janë në nevojë të strehës dhe ilaçeve”.

Çitaku ka shtuar se Kosova ka ende punë për të kryer në forcimin e sundimit të ligjit në vend.

“Ka shumë që duhet bërë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, duhet bërë shumë në sundimin e ligjit. Kemi punuar shumë me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

Ambasadorja kosovare, edhe njëherë e ka thënë se Kosova nuk ka thyer asnjë ligj ndërkombëtar duke u bërë e pavarur.

“Falë Kombeve të Bashkuara, Kosova ka statusin përfundimtar. Kosova kishte të drejtë kur deklaroi pavarësinë dhe nuk ka shkelur asnjë ligj ndërkombëtar”.

Komentoni