Kosova

Cikaqi përfundoi studimin njëvjeçar në Kolegjin Mbretëror të Mbrojtjes

Në Kolegjin Mbretëror për Studime të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar në Londër, pas përfundimit të studimeve një vjeçare, diplomoi me sukses gjeneral brigade Enver Cikaqi, komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së.

Kolegji Mbretëror për Studime të Mbrojtjes është niveli më i lartë i edukimit për ushtarak dhe diplomat në Angli, është një koncept i studimit, post-diplomik, ku marrin pjesë të gjitha institucionet e sigurisë, që janë të përfshira në ndërtimin e strategjive të sigurisë dhe të mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar. Ky Kolegj përgatitë liderë strategjik përmes programit të avancuar për zhvillim të lidershipit dhe të menduarit strategjik.

Studimet gjatë këtij viti akademik i kanë ndjekur 96 studentë nga 53 shtete të ndryshme të Botës, kurse nga Kosova këtë vit ishte gjeneral brigade Enver Cikaqi.

Në ceremoninë e diplomimit ishte prezent edhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër, znj. Elmaze Pireva dhe atasheu ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, kolonel Richard Perry. 

Cikaqi përfundoi studimin njëvjeçar në Kolegjin Mbretëror të MbrojtjesPas diplomimit, gjeneral Cikaqi falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë të Kosovës. Ai shtoi se studimi në këtë kolegj, ishte një përvojë e jashtëzakonshme dhe sfiduese. “Unë, kam qenë njeriu më me fat, që pata rastin ta kryejë këtë kolegj me renome botërore. Jam angazhuar që ta prezantojë vetveten dhe shtetin tim, në mënyrën më të mirë të mundshme”. 

Pjesëmarrës në studime ishin përfaqësues të shteteve që kanë bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar, si shtetet e Commonwelth-it, shtetet nga Amerika e Jugut, Afrika, Azia e Largët, Lindja e Mesme, Shtetet Arabe, Evropa, Kosova, Shqipëria etj. 

“Gjatë studimit kemi pasur bashkëpunim me përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse, por edhe gjatë vizitave me karakter studimi të institucioneve të sigurisë në shumë shtete të ndryshme të botës. Kuadri i ligjëruesve ishte i jashtëzakonshëm me një përgatitje të lartë dhe karrierë të gjatë në aspektin diplomatik e të sigurisë, kurse gjatë vizitave kemi takuar liderë e diplomat të nivelit botërorë, të cilët janë pjesë e institucioneve vendimmarrëse në organizatat e ndryshme të sigurisë në Botë. Në Mbretërinë e Bashkuar kemi realizuar vizita në institucione shtetërore, ku jemi njoftuar me organizimin e këtyre institucioneve dhe funksionimin e tyre”. 

Gjeneral Cikaqi u shpreh se këtë përvojë, në të ardhmen, do ta realizojë në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet e sigurisë të shtetit të Kosovës. 

Komentoni