Rajoni

Çfarë po ndodh me pushuesit kosovarë në Durrës?!

Rruga e plazhit në qytetin e Durrësit si duket është kthyer në bllokadë për turistët nga Kosova.

Portali i këtij qyteti, “Durreslajm.al”, ka raportuar ditëve të fundit për pengesat që po u bëhen operatorëve turistikë nga Kosova.

Sipas këtij portali, të gjithë autobusët tjerë lejohen të hyjnë e të ndalojnë në rrugën e plazhit, mirëpo autobusëve me turistë nga Kosova u është ndaluar qarkullimi dhe ndalimi në këtë rrugë, e madje ata edhe po gjobiten.

Portali ka hasur në një autobus me targa të Bosnjës i cili qarkullon lirshëm në këtë rrugë.

Më poshtë ju sjellim disa artikuj të portalit “Durreslajm” në lidhje me këtë temë:

***

Çfarë po ndodh në të vërtetë në plazhin e Durrësit?!

Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, është njeriu më i dashur sot nga të gjithë durrsakët. Me votë absolute në krahasim me kundërshtarët e tij, Dakos, durrsakët i kanë besuar për tre herë radhazi votën e tyre, që ndryshe përkthehet: “besim”. Ky besim absolut ndaj tij u tregua edhe në zgjedhjet e 25 Qershorit, ku sërish durrsakët të shumtë në numër i besuan atij si drejtuesi politik i zgjedhjeve. Kjo do të thotë që durrsakët besojnë te Dako, në vendimet që ai merr në emër të qytetarëve të tij, të cilët i udhëheq prej tri mandatesh.

Por kryebashkiaku nuk do të jetë vënë në dijeni të një vendimi që zbaton policia e qarkullimit rrugor, duke mos lejuar këmbë kosovari të hyjë në plazhin e Durrësit.

Policia e qarkullimit rrugor u ka ngritur “traun” të gjithë autobusëve nga Kosova duke mos lejuar hyrjen e asnjë prej tyre në plazhin e Durrësit prej një jave.

Prej një jave, ajo që nuk pritej nga askush ka ndodhur. Asnjë autobus me pushues që ka destinacion plazhin e Durrësit, dhe që tradicionalisht kanë pasur stacionet e tyre të qëndrimit në Teuta, Apollonia, Hekurudha, Rrota e Kuqe, nuk lejohet më të qarkullojë në rrugën e plazhit.

Nuk dihet se kush e ka dhënë këtë urdhër absurd, të pa precedentë, e pa u konsultuar as me operatorët turistikë e as me agjencitë turistike që sjellin turistët në Durrës.

autobusëve me turistë u është dhënë leja që t’i zbresin në Plepa, apo tek Ura e Dajlanit, njerëzit që na vijnë me pushime, dhe më pas të hipin në autobusët urbanë. Kjo është ide e mirë për të shmangur trafikun që mund të krijohet, fjala bie gjatë zbritjes apo hipjes në autobusë në zonën e plazhit, por ata që vijnë për pushime janë me fëmijë të vegjël, të moshuar e me valixhe, e vijnë nga një rrugë e gjatë. Në autobusët urbanë të plazhit, njerëzit shtypen e bëhen sallatë nga vapa e masa e madhe e njerëzve.

Por situata është edhe më e rëndë, sepse sipas agjencive turistike të Shqipërisë e Kosovës, pas këtij vendimi skandaloz janë të përfshirë njerëz mafiozë, që nuk duan të vijnë në Durrës pushuesit, por të shkojnë në Lezhë apo edhe në qytete të tjera.

Bllokimi i autobusëve me pushues të cilët nuk lejohen të hyjnë fare në rrugën e re të plazhit “Pavarësia” ka ndikuar drejtpërsëdrejti tek të gjithë operatorët nga njësitë akomoduese deri te misrapjekësi.

Hotelet në rrugën e plazhit nuk kanë pushues, as banesat që jepen me qira këtë vit i kanë dhomat bosh.

Bosh janë restorantet, kafenetë, pikat e tregtisë me pakicë kanë xhiro minimale, bosh janë shezlongët, madje edhe shitësit e misrave e kanë qymyrin pa djegur. Kujt i intereson kjo situatë? Kush fshihet pas kësaj situate?

Pse në plazhin e Durrësit nuk lejohet më asnjë autobus të sjellë pushues në pikun e sezonit veror? Për çfarë po ndodh kjo? Kush po favorizohet? Kujt i shërben që plazhi i Durrësit të falimentojë? Asnjë durrsaku të ndershëm, nuk i intereson të falimentojë punën në qytetin e vet!

Plazhin e Durrësit deri tani e kanë mbajtur “patriotët” e Kosovës dhe të Maqedonisë, sepse pushuesit vendas e kanë braktisur me kohë.

Do të ishte mirë që kreu i bashkisë së Durrësit, si qytetar i parë, dhe shumë i vlerësuar nga i gjithë populli durrsak, prej hotelierëve dhe misrapjekësve, të merrte masa ndaj vartësve të tij, që lëshojnë urdhra të tillë, apo që neglizhojnë të bëjnë detyrën e tyre.

***

Në plazhin e Durrësit lejohet gjithçka, përveç kosovarëve!

Të gjitha kafshët që vijnë nga fshatrat, gomerë e kuaj të ngarkuar me qepë, domate e bostanë, lejohen të hyjnë në plazhin e Durrësit. Madje deri në rërë, aty ku lahen pushuesit lejohen.

Në plazh lejohen edhe kafshët e tjera të hyjnë e të shëtisin që prej arinjve, kërriçave, qenve e çdo lloji tjetër.

Në plazh lejohen të hyjnë edhe autobusët me turistë të huaj. Ky është një prej autobusëve të mbërritur nga Bosnjë-Hercegovina që përshkon tej e përtej rrugën “Pavarësia”.

Në plazh ka vend për të gjithë kafshët dhe turistët, por vend për kosovarët nuk ka.

Komentoni