KosovaToplajm

Çfarë përmban platforma serbe e cila mund të rrezikojë stabilitetin në rajon?

Pas paralajmërimit të Beogradit zyrtar për organizimin e një dialogu të brendshëm midis serbëve për Kosovën, ku nga disa media por edhe segmente të politikës në Prishtinë u interpretua si përgatitje për njohje, presidenti serb bëri një lëvizje tjetër gjysmë të heshtur duke njoftuar për përgatitjen e një program nacional që tejkalon kufijte e saj ekzistues të njohur ndërkombëtarisht, raporton kosova.info. Fjala është për një deklaratë të përbashkët ku do të përfshiheshin përfaqsuesit e gjithë serbëve edhe në vendet fqi të saj. Kjo deklaratë sipas paralajmërimeve do të lexohet nga presidenti serb Aleksandër Vucic dhe kryetari i RS në Bosnjë Milorad Dodik. Deklarata e paralajmëruar për siç thonë mbijetesën e kombit serb do të jetë rezultat i takimit kohë më parë më 4 gusht të përfaqsuesve të serbëve nga rajoni ku është arritur një pajtim të shihet se cfarë është me rëndësi për identitetin nacional serb dhe veprimin e komuniteteve nacionale në këtë rast të serbëve. Nuk është problem që akëcili vend të nxjerë programe nacionale brenda kufijve të saj. Por kur ato tejkalojnë kufijtë ekzistues atëher shfaqen ambiciet për ndërhyrje në cështjet e brendshme të një shteti të caktuar duke rrezikuar edhe rendin juridik të saj.  Ndryshe nga Vucici i cili në mënyrë diplomatike lë përshtypjen se program i paralajmëruar ka të bëjë me mbijetesën e serbëve, që nënkupton ruajtjen e gjuhës, traditës etj, kreu i RS Dodik shfaq aspirata nacionaliste. Ai thotë se në deklarata do të përmbajë të gjitha elementet e rëndësishme dhe aktivitetet që duhet zbatuar që të mbahet kombi serb, të shtohet kapaciteti i saj shtetëror dhe të mbrohen të gjitha komunitetet serbe pavarësisht ku ndodhen në rajon. “Kemi të drejtën sovrane të vendosim si popull për fatin tonë. Deklaratën duhet shikuar vetëm në atë mënyrë”, kishte thënë ai. Kjo deklaratë tingëllon sikur kombi serb po rrezikohet nga vendet fqinje pavarësisht problemeve që komuniteti serbe po i shkakton brenda vetë atyre vendeve. Ky dokument nuk do të jetë thjeshtë një dokument por me një peshë juridike e cila për miratim do të kalojë në parlamentin e Serbisë dhe Republikës serbe! Në një deklaratë të ditë më parë ai këtë shekull e quajti shekull të bashkimit serbe duke marrë si shembull Gjermanin lindore dhe perëndimore të cilat sipas tij janë bashkuar kur janë krijuar kushtet historike. Pra ai hapur shfaq pretendimet për ridizajnimin e kufijve në rajon që paraqet një rrezik të madhë për gjitha vendet e rajonit.

Se cfarë kalkulimesh dhe mbështetje po kërkon Beogradi zyrtar për jetësimin e planeve të saj flet edhe një e dhënë tjetër. Një ditë para takimit të Vucic me përfaqsues të serbëve nga vendet e rajonit, Ambasadori serbë në Moskë, Slavenko Terzic, është takuar me drejtorin e RISI (institutit për hulumtime strategjike) M. Fradkov që jep llogaridhënie Kremlinit. Për cudi ky takim është mbajtur sekret nga ana serbe. Fradkov ka shprehur interesimin për situatën në Ballkan duke shfaqur shpresën që raportet në mes dy shteteve do të zhvillohen pozitivisht në baza të shëndosha pavarësisht nga ajo se sa do të ndikojnë faktorët e jashtëm në situatën politike në rajon. Është theksuar se natyra e veqantë e lidhjeve ruso-serbe lejon dialogun politik në fusha të ndryshme në të gjitha nivelet dhe forcimi i kontakteve shkencore me homologët serbë nga qendrat kryesore analitike padyshim ndihmon në ruajtjen e një ritmi intensiv të shkëmbimeve bilaterale të pikëpamjeve mbi çështjet aktuale të politikës dhe ekonomisë ndërkombëtare dhe problemet humanitare. Ky takim nuk është i thjeshtë marrë parasysh formatin ku përveq ambasadorit serb ishte edhe ndihmës atasheu i mbrojtjes Dragan Arsenijevic dhe sekretarja e dytë e ambasadës Snezhana Pavloviq. Derisa në anën e kundërt ishin veq drejtorit të qendrës edhe udhëheqësi i qendrës së koordinimit të hulumtimeve I.I. Borovkov dhe ndihmës drejtori i Risi, A.Ju.Dudar. Është indikative që takimi është mbajtur një ditë para se Vucic të paralajmërojë Deklaratën për mbijetesën e serbëve dhe hapjen e dialogut të brendshëm për Kosovë. Ambasadori serb në Moskë Slavenko Terzic është historian i njohur serb i cili është emëruar në atë post nga ish presidenti serb Nikoliq që në vitin 2012. Ambasadori Terzic ka qenë këshilltarë por edhe drejtor i Institutit historik pranë Akademisë së Shkencave i cili asokohe ishte nxjerrë Memorandumi II. Veq tjerash kapitull i veçantë i këtij memorandum merret me Kroacinë lindore, Republikën Serbe dhe pjesën veriore të Kosovës.

Kryetarja e Këshillit të Helsinkut për të drejtat e njeriut Sonja Biserko duke folur për deklaratën e paralajmëruar , tha se dialogu për Kosovë ka qenë vetëm një balon testues që eventualisht të ndahet përgjegjësia rreth Kosovës dhe që të homogjenizohet kombi pikërisht në cështjet gjeostrategjike”.  Ajo theksoi se më 2011 është sjellë “Strategjia e ruajtjes dhe forcimit të raporteve të shtetit dhe diasporës dhe shtetit amë dhe serbëve në rajon, ku theksohen, mënyrat, metodat dhe mjetet për zbatimin e saj. “Strategjia është perceptuar si Memorandum II në rrethanat e ndryshuara”, ka thënë Biserko. Memorandumi vijues ka për qëllim që në paqe të përfundojë të gjitha ato projekte serbomadhe që nuk janë realizuar në luftra. Qëllimet strategjike të këtij memorandum janë pothuajse identike me atë të kaluarin, por që mënyra e realizimit i është përshtatur rrethanave.

Duket që Vucic do ta ngarkojë Ministrin e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit dhe liderin e SDPS, Rasim Lajic, që më 1 shtator ta paraqes platformën për Kosovë. Ai ditë më parë në një prononcim para medieve serbe ka thënë se nuk pretendojnë që ajo do të jetë ideale, dhe që do të jetë zgjidhje që do të implementohet, por që nuk do të fshehen pas parollave. Ai përsëriti se zgjidhjen e sheh në tri faza, e para zgjidhjen e cështjeve ekonomike, sepse ekziston interesi që Serbia të bashkëpunojë me Kosovën, të plasojë produktet e saj duke nënvizuar se atje tani plasohet dy fishë më shumë mallëra se në ShBA. Ai mendon se eksporti do të mund të rritet në një miliardë euro. “Ndikimi ynë ekonomik mund të jetë I madh, duhet të heqim barrierat në lidhje me këtë”, ka thënë ai. Si fazë të dytë ata parashohin bisedimet rreth AKS, pronës dhe trashëgëmisë kulturore, derisa faza e tretë ka të bëjë me bisedimet rreth statusit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare me kusht që Serbia të ketë benefite sikurse përshpejtimin e rrugës për në BE, mbështetjen financiare për projekte të infrastrukturës. “Pas kësaj do të pasonte periudha prej pesë vitesh për të parë si funksionon kjo të testojmë marrëveshjen, e pastaj do të kishim konferencën për zgjidhjen e statusit përfundimtarë”, ka thënë Lajic.

Në këtë mënyrë Serbia po tenton që të imponojë para bashkësisë ndërkombëtare bisedime të reja, kinse duke shprehur vullnetin për të normalizuar raportet me Kosovë. Por duhet ditur që Kosova ka statusin e saj, planin e jashtëm me orientim properëndimor, është e njohur nga 114 vende. Çdo ide e bazuar në memorandum, ide ndarjeje paraqet një problem zingjiror për gjithë rajonin. (I.Krasniqi) /KI/

 

Komentoni