Kosova

Çelet Margarita, e deklaron votën kundër demarkacionit

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Margarita Kadriu, e ka bërë publike, sot, votën e saj për çështjen demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi. Ajo, pasi që ka kujtuar edhe betimin e deputetit, ka deklaruar se vota e saj në seancën e radhës do të jetë kundër.

“Të votosh një marrëveshje që dyshohet se e cenon tërësinë territoriale, është shkelje e betimit, thyerje e ligjit, veprim antikombëtar. Kuvendi i Kosovës është para një vendimi me rëndësi strategjike, por edhe në një gjendje konfuze për shkak të jotransparencës qeveritare. Edhe nënpresidenti i SHBA-së Joe Biden, e kritikoi ekzekutivin se nuk kishte arritur ta qartësonte demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke nxitur kështu reagime të njëpasnjëshme sidomos nga qarqet shkencore, gjeografë, demografë, historianë, juristë”, ka thënë Kadriu.

Sipas saj, “mbajtja në fshehtësi e procesit trevjeçar gjatë të cilit Komisioni Shtetëror i krijuar nga Qeveria kosovare negocioi me palën malazeze, nxiti dyshime të forta, kur u bë publik version zyrtar i demarkacionit”, kurse “presioni i qeverisë  për të legjitimuar dhe për të legalizuar një marrëveshje, që sipas argumenteve të kundërshtarëve të këtij demarkacioni ia shkëput Kosovës 8200 hektarë tokë, ngriti pikëpyetje të mëdha”.

“Vota ime, sigurisht nuk është në favor të një marrëveshjeje të tillë. Se duhet bërë demarkacioni me Malin e Zi dhe të gjitha shtetet fqinje është e padiskutueshme. Unë jam për demarkacion me Malin e Zi si shtet fqinj , mirëpo i them jo kësaj marrëveshjeje të paqartë, të dëmshme dhe plotësisht jotransparente”, ka thënë, ndër të tjera, e saj deputetja Margarita Kadriu.

Komentoni