Lajme

Çeku u beson komandantëve: Në listat e veteranëve nuk ka parregullsi të mëdha

Manipulimi me listat e veteranëve të luftës së UÇK-së e ka sjellë buzë kolapsit financiar Kosovën. Këto abuzime të miratuara nga Qeveria, po cilësohen si një nga sjelljet më joserioze të kësaj klase politike në pushtet. Dyshohet se fryrja e listave është bërë përmes rrugëve korruptive dhe për qëllime elektorale, sa më shumë njerëz të futen në lista, aq më shumë vota për pushtetarët.

Megjithatë, kryetari i Komisionit qeveritar për verifikimin e statutit të veteranëve të UÇK-së, Agim Çeku, vazhdon të besojë se në këto lista nuk ka parregullsi aq të mëdha, sikur po raportohet në medie, dhe sikur po thuhet nga një grup i ish pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët po vazhdojnë të protestojnë para Qeverisë, për shkak të moskryerjes së obligimeve, me arsyetim për mungesë buxheti.

Gjeneral Çeku thotë se u beson shumë komandantëve të tij, që e kanë bërë verifikimin e listave finale dhe e kanë dorëzuar në komision.

“Unë mendoj që kjo çështje mund të zgjidhet duke u rishikuar listat e përfituesve materialë, duke i rishikuar dhe hequr nga lista ata që janë duke përfituar pa të drejtë, sepse ne nuk e kemi pritur që të ketë një numër aq të madh të përfituesve, të cilët paraqiten dhe pretendojnë se janë të papunë. Pra, kjo listë e atyre që po përfitojnë pensione, të ardhura sipas ligjit, duhet të rishikohet me kujdes. Këtë e them, për faktin se që në fillim, kur i kemi pranuar të gjitha aplikacionet, vetëm 11 mijë aplikues patën deklaruar se janë të papunë, kurse tani në ndërkohë po dalin më shumë, po del se disa e kanë lëshuar punën vetëm për ta marrë pensionin dhe kjo ka qenë një situatë e papritur, që e ka bërë këtë çrregullim edhe të planifikimit buxhetor”, ka theksuar Çeku.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka informuar dje kabinetin qeveritar lidhur me mungesën e mjeteve te kategoria e pensioneve për veteranët e luftës.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është në konsultime të vazhdueshme ditore me Ministrinë e Financave për gjetjen e këtyre mjeteve. Po flasim për mjete financiare vetëm për pagesën e muajit shtator, një minus prej 1.6 milionë euro, të cilat jemi duke i kërkuar, por gjithashtu jemi në konsultime edhe për mjetet financiare për tremujorin e fundit me një faturë prej rreth 5 milionë euro në muaj. Besoj që shumë shpejt do të reagojmë për pagesën e këtij muaji, mungesën e fondit apo pagesave të pensioneve për muajin shtator, do të punojmë edhe për tremujorin tjetër për gjetjen e mjeteve shtesë”, u shpreh ai.

“Çështja e dytë që është ngritur në opinion ka të bëjë me pagesat e dyfishta të pensioneve. Ne kemi një rekomandim të Auditorit që të bëhen ndalesa për këto pensione. Mendojmë që ka paqartësi ligjore rreth kësaj çështjeje, por është dashur të veprojë administrata, shkaku i rekomandimit të prerë të Auditorit, por besojmë që gjatë javëve në vijim ne do të sjellim projektligj për skemat e pensioneve të ndryshme të financuara nga shteti ku do të definojmë edhe më qartë tek pensionet familjare dhe pensionet invalidore, sepse është prekur një numër i madh i familjeve të dëshmorëve të luftës, ku është ndërprerë njëra prej pensioneve. Prandaj, ne duhet të qartësojmë me propozimin e ri, të cilin shumë shpejt do ta sjellim në Kuvend”, tha ministri Abrashi, shkruan Kosova Sot.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*