Lajme

Çeku: Nuk ka nevojë për riverifikim të listave të veteranëve

Ka arritur në 28 mijë e 31 numri i veteranëve të UÇK-së që kanë aplikuar për pensionin e tyre, e ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka deklaruar se aktualisht u duhen edhe 15 milionë euro, e do tu duhen edhe më shumë pasi ky numër i veteranëve mund të rritet.

Por kryetari i Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Agim Çeku thotë se nuk ka nevojë për riverifikim të listave, megjithëse pranon se është befasuar me numrin e madhe të atyre që kanë aplikuar.

Ai pranon se është shqetësues se si kaq shumë veteranë janë të papunë, dhe kërkon që kjo të shikohet dhe vërtetohet mirë.

“Nuk duhet riverifikim të listave, komandantët e kanë vlerësuar dhe kanë deklaruar se janë ata numra dhe ashtu duhet mbesin. Unë nuk e kam pritur një numër të tillë, mund të ketë raste që kanë keqpërdorur por ato duhet hetohen dhe si raste të mbyllura, jo listat komplet”, thotë Çeku .

Sa i përket pensioneve të tyre, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë këtë çështje, dhe duhet verifikuar ata që tashmë kanë pensione nëse me të vërtetë nuk punojnë.

“Më ka habitur fakti që ka aq shumë që janë pa punë, por kjo duhet shikohet mirë nëse me të vërtetë është ashtu”, tha ai. /lajmi.net/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*