Kosova

Çaushi: Me Edita Tahirin nuk mund të ketë negociata parimore me Serbinë

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, ka reaguar lidhur me deklaratat e Ministres pa Portofol në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri.

Ai ka shkruar se deklaratat e ministres lidhur me të pagjeturit janë skandaloze.

“Edita Tahiri sot ka lëshuar deklaratë skandaloze lidhur me të pagjeturit. Ajo pa fijen e turpit ka ofenduar rëndë familjarët e të pagjeturve duke mashtruar hapur se Kosova nuk i ka listat e personave të zhdukur në luftë dhe se kjo është arsyeja që kjo çështje ka mbetur pa u trajtuar në negociatat me Serbinë”, ka thënë Çaushi në një postim në Facebook.

Si pikë e parë, Çaushi thotë se zyrtarët qeveritarë gjithmonë kanë deklaruar se problemi i të pagjeturve është preokupim i tyre dhe se do ta adresojnë në negociata.

Por, siç shtoi ai, me deklaratën e Tahirit “sot po e kuptojmë që për këtë çështje është diskutuar vetëm njëherë në negociata dhe atë në vitin 2011”.

“Së dyti, nuk është e vërtetë që Kosova nuk i ka listat me emrat e personave të pagjetur. Janë 1650 persona të pagjetur, shifër e cila është konfirmuar nga organizata vendore e ndërkombëtare. Ne nuk mund dhe nuk duhet të besojmë që me Edita Tahirin dhe sojin e saj mund të ketë negociata parimore me Serbinë, përderisa këta qeveritarë tallen edhe me të pagjeturit”, ka përfunduar Çaushi. 

Komentoni